Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë pezulluar ndihmat ushtarake për Ukrainën, ka njoftuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke bllokuar miliarda dërgesa, ka raportuar TheGuardian të martën.
Vendimi përfshin dërgesa të municioneve, automjeteve dhe pajisjeve të tjera, duke përfshirë edhe dërgesat që ishin dhënë në mandatin e Joe Bidenit si president.
Ky vendim vjen pas tensioneve të krijuara në Zyrën Ovale të premten (28 shkurt) mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Një zyrtar amerikan ka deklaruar për Fox News se ndihmat janë pezulluar përkohësisht.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se SHBA-ja e ka derën e hapur për bisedime për paqe.
“Për sa kohë që Zelensky është i gatshëm të flasë seriozisht për paqen. Ju nuk mund të hyni në Zyrën Ovale apo kudo tjetër dhe të refuzoni t’i diskutoni as detajet e një marrëveshjeje për paqe. Kur ata janë të gatshëm të flasin për paqe, mendoj se presidenti Trump do të jetë personi i parë që do ta marrë telefonin”, është shprehur ai.
Trump e ka akuzuar gjatë tërë kohës Zelenskyn se nuk është i interesuar për paqe, derisa të premten marrëveshja për mineralet nuk u nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.