Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai beson se Rusia “i ka kartat” në çdo bisedim paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sepse ajo “ka marrë shumë territor”.
Trumpi i ka thënë BBC-së se ka besim që Moska dëshiron të shohë një fund të luftës, të cilën Rusia e filloi gati tre vjet më parë.
Këtë deklaratë Trumpi e ka bërë teksa po kthehej në Uashington DC pasi mbajti një fjalim në një takim investimesh të mbështetur nga Arabia Saudite në Florida, ku e quajti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky një “diktator” për herë të dytë brenda një dite.
Trumpi është zemëruar pasi Zelensky, duke reaguar ndaj bisedimeve SHBA-Rusi në Arabinë Saudite, nga të cilat Kievi u përjashtua, ka deklaruar se presidenti amerikan “po jetonte në një hapësirë dezinformimi” të qeverisur nga Moska.
“Unë mendoj se rusët duan të shohin fundin e luftës. Mendoj se ata i kanë pak kartat, sepse ata kanë marrë shumë territor”, ka thënë Trumpi për BBC-në në Air Force One.
Trumpi po fliste pasi sulmoi Zelenskyn në Florida, ku e quajti presidentin ukrainas një “diktator”, vetëm disa orë pasi përdori të njëjtën fjalë në një postim në “Truth Social”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se postimi i Trumpit ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj komenteve Zelenskyt se Trumpi “po jetonte në një hapësirë dezinformimi”, për shkak se presidenti amerikan kishte deklarur se Zelensky nuk ka besueshëmri më si president.
Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt ka përfunduar në maj të vitit 2024. Megjithatë, Ukraina ka qenë nën ligjin ushtarak që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022, dhe zgjedhjet janë pezulluar.