Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje të martën gjatë mbledhjes së kabinetit të tij për dënim me vdekje për vrasjet në Uashington DC dhe po ashtu ka këmbëngulur se nuk është diktator.
Presidenti e ka hapur mbledhjen e tij të gushtit duke ekzagjeruar koston e ulët të karburanteve dhe ushqimeve dhe duke ekzagjeruar argumentin se si është përmirësuar prodhimi amerikan gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, raporton AP.
Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër një objektiv mjedisor për mullinjtë me erë, duke këmbëngulur se administrata e tij “nuk po lejon të ndërtohet asnjë mulli me erë”.
“Ato po e shkatërrojnë vendin tonë. Po i shkatërrojnë të gjithë”, ka thënë Trumpi
“Ato janë të shëmtuara, nuk funksionojnë, vrasin zogjtë tuaj, janë të këqija për mjedisin”, ka shtuar ai.
Trumpi gjithashtu ka kritikuar panelet diellore, por nuk ka thënë se nuk do t’i lejonte ato.
Më vonë gjatë mbledhjes, Trumpi është zotuar të vendosë dënimin me vdekje në Uashington, DC për këdo që kryen një vrasje.
“Ne do të kërkojmë dënimin me vdekje”, është shprehur Trumpi, duke e quajtur atë një “masë parandaluese shumë të fortë”.
Uashington DC dhe gati gjysma e vendit, e kanë hequr dënimin me vdekje.
Qendra e Informacionit për Dënimin me Vdekje thotë se studimet nuk kanë gjetur “prova kuptimplote” që përdorimi i dënimit me vdekje pengon krimin.
Presidenti gjithashtu ka hedhur poshtë edhe një herë akuzën se është diktator.
“Unë nuk jam diktator. Unë thjesht di si ta ndaloj krimin”, ka thënë Trumpi.