Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se njerëzit në Rripin e Gazës po vdesin nga uria dhe është zotuar për zgjidhjen e kësaj çështje, transmeton Anadolu.
“Ne duam të kujdesemi për njerëzit. Shikoni, njerëzit po vdesin nga uria”, tha Trump për Fox News në Abu Dhabi, në ndalesën e fundit të turneut të tij në tre vende të Lindjes së Mesme.

“Një nga gjërat që një nga tre liderët e mëdhenj që pashë dy net më parë, më tha ‘Ju lutem ndihmoni njerëzit, palestinezët’. Ai tha se ata po vdesin nga uria dhe ai e thoshte atë me zemër. Kështu që, tashmë kam filluar të punoj për këtë. Është një problem i thellë, por ne do ta zgjidhim”, tha Trump.
Që nga 2 marsi, Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet e Gazës për ushqim dhe për ndihmë mjekësore, duke thelluar krizën humanitare tashmë të përkeqësuar në enklavë.
Trump tha se Gaza është një “vend i keq”.
“Kështu ka qenë prej vitesh. Unë mendoj se duhet të bëhet një zonë e lirë, e dini, lirinë, unë e quaj atë zonë lirie”, shtoi ai.
I pyetur nëse është i frustruar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump tha, “Jo, shikoni, ai ka një situatë të vështirë”.
Trump tha se Netanyahu është një “njeri i zemëruar” dhe “ai duhet të jetë, për shkak të 7 tetorit dhe ai është lënduar keq nga kjo”.
Presidenti amerikan fillimisht në muajin shkurt paraqiti propozimin e tij që SHBA-ja të marrë pronësinë e Gazës. Plani u kundërshtua gjerësisht nga kombet në mbarë botën, por presidenti i SHBA-së ka vazhduar ta përsërisë atë në mënyrë sporadike gjatë tre muajve të fundit.
Ushtria izraelite vazhdon me një ofensivë ushtarake në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 53 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.