“Ndërmjetësi më dha një copë letër dhe unë duhet të mësoja përmendësh se çfarë ishte e shkruar në të”, tregon Myo Win, duke shtuar se ai duhet të thoshte se marrësi ishte i martuar me një nga familjarët e tij.
“Unë thjesht doja të kisha një shtëpi dhe t’i shlyeja të gjitha borxhet e mia. Kjo është arsyeja pse vendosa ta shes veshkën time”, thotë Zeya, një fermer në Birmani.
Çmimet u rritën pasi grushtshteti ushtarak në vitin 2021 shkaktoi luftë civile në Birmani. Ai mezi ushqente familjen e tij të re dhe ishte zhytur në borxhe.
Të gjithë jetonin në shtëpinë e vjehrrës së tij, në një fshat me shtëpi kryesisht nga kashta, që gjendet disa orë larg qytetit më të madh të Birmanisë, Yangon.
Zeya, emri i të cilit është ndryshuar për ta fshehur identitetin e tij, dinte për bashkëfshatarë të tjerë që kishin shitur një nga veshkat e tyre.
“Më dukeshin të shëndetshëm”, thotë ai. Kështu që ai nisi të pyeste vërdallë.
Ai është një nga tetë personat në këtë pjesë që i thanë “BBC” se kanë udhëtuar në Indi për ta finalizuar marrëveshjen e shitjes së veshkës dhe për ta kryer transplantimin.
Tregtia e paligjshme e organeve është një problem në të gjithë Azinë dhe historia e Zeyas jep një pasqyrë se si ndodh.
Marrëveshja
Blerja dhe shitja e organeve është ilegale si në Birmani ashtu edhe Indi, por Zeya thotë se shpejt gjeti një burrë të cilin e përshkruan si “ndërmjetës”.
Ai tregon se burri organizoi testet mjekësore dhe disa javë më vonë iu tha se është gjetur një pranuese – grua birmaneze – dhe se të dy mund të udhëtojnë në Indi për operacionin.
Në Indi, nëse dhuruesi dhe marrësi nuk janë familjarë të ngushtë, ata duhet të dëshmojnë se motivi është altruist dhe të shpjegojnë marrëdhënien mes tyre.
Zeya thotë se ndërmjetësi falsifikoi një dokument, të cilin çdo familje në Birmani duhet ta ketë, duke renditur anëtarët e familjes dhe detajet për ta.
“Ndërmjetësi e vuri emrin tim në pemën familjare të pranuesit”, shpjegon ai.
Ai thotë se ndërmjetësi e bëri të duket sikur po i dhuronte veshkën dikujt me të cilin një familjar i ngushtë ishte i martuar.
Më pas, tregon ai, se ndërmjetësi e dërgoi në Yangon për ta takuar pranuesen e veshkës.
Atje, ai thotë se një burrë që u prezantua si mjek i finalizoi dokumentet dhe e paralajmëroi Zeyan se do të duhej të paguante një shifër të konsiderueshme nëse tërhiqej.
BBC e ka kontaktuar këtë person, që tha se roli i tij ishte të kontrollonte nëse pacienti ishte në gjendje të mirë shëndetësore për t’iu nënshtruar operacionit, e jo për të kontrolluar marrëdhëniet mes dhuruesit dhe marrësit.
Zeya thotë se atij i tha se do të merrte 7.5 milionë kyatë të Birmanisë. Kjo ka qenë me vlerë 1700 dollarë deri 2700 dollarë gjatë dy vjetëve të fundit – kursi jozyrtar i këmbimit ka ndryshuar që nga grushtshteti.
Ai thotë se udhëtoi në veri të Indisë për t’iu nënshtruar operacionit dhe se operacioni u krye në një spital të madh.
Të gjitha transplantimet që përfshijnë shtetas të huaj në Indi duhet të miratohen nga një panel i quajtur komitet autorizues, i krijuar nga spitali apo nga ndonjë qeveri lokale.
Zeya thotë se u intervistua, nëpërmjet një përkthyesi, nga katër persona.
“Ata më pyetën nëse po dhuroja me dëshirë veshkën time”, tregon Zeya.
Ai thotë se marrësi ishte një i afërm dhe se ishte miratuar kryerja e transplantimit.
Zeyas i kujtohet vetëm momenti kur mjekët i dhanë anestezi.
“S’kishte probleme të mëdha pas operacionet, përveç se kisha dhimbje duke lëvizur”, tregon ai.
Ai qëndroi i shtrirë në spital për një javë.

“Nënë e rrejshme”
Një donator tjetër, Myo Win – gjithashtu jo emër i vërtetë – i tha BBC-së se ai kishte pretenduar se kishte lidhje me marrësin.
“Ndërmjetësi më dha një copë letër dhe unë duhet të mësoja përmendësh atë që ishte e shkruar në të”, tregon Win, duke shtuar se ai duhet të thoshte se marrësi ishte i martuar me një nga familjarët e tij.
“Personi që vlerësoi rastin tim thirri edhe mamanë time, por ndërmjetësi organizoi ‘një mama false’ për telefonatën”, tregon ai.
Ai shton se personi që iu përgjigj thirrjes konfirmoi se po ia dhuronte veshkën një të afërmeje dhe se e ka lejen e saj.
Myo Win thotë se atij iu ofrua e njëjta shumë parash si Zeyas, por që u përshkrua si “bamirësi” dhe se duhej t’i paguante ndërmjetësit 10% të shumës.
Të dy burrat thonë se atyre iu dha parapagim një e treta e shumës.
Myo Win tregon se këtë e kishte në mendje kur hyri në operacion.
“Unë vendosa të bëja sepse ua kisha marrë tashmë paratë”, thotë Win.
Ai thotë se “zgjodhi këtë mënyrë të dëshpëruar” pasi ishte zhytur në borxhe dhe kishte nevojë për para për të paguar shpenzimet mjekësore për bashkëshorten që e kishte sëmurë.
Shkalla e papunësisë është rritur në Birmani që nga grusht shteti – lufta ka shkatërruar ekonominë dhe i ka larguar investuesit e huaj.
Në vitin 2017, çereku i popullatës po jetonte në varfëri në Birmani, por deri në vitin 2023 kjo shifër u rrit në 50 për qind, sipas agjencisë për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP.
Myo Win thotë se ndërmjetësi nuk i tregoi se shitja e veshkës ishte ilegale.
“S’do ta kisha bërë po të më tregonte. Kam frikë se do të përfundoj në burg”, thotë ai.
Një burrë tjetër në Birmani, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ndihmoi rreth 10 persona të blejnë apo shesin veshkat duke kryer operacionet në Indi.
Ai tha se i dërgonte njerëzit te një “agjenci” në Mandalay që gjendet në pjesën qendrore të Birmanisë, e cila bënte aranzhimet.
“Mos u shqetësoni për dhuruesit”, tha ai. “Ne kemi një listë të dhuruesve që po presin me radhë për të dhuruar veshkat e tyre”.
Ai gjithashtu tha se dokumentet ishin të falsifikuara për të bërë të huajt të dukeshin sikur janë të lidhur në martesë. I pyetur nëse ka marrë para për ndihmën që ka ofruar, ai s’ka treguar.
Arrestime në Indi
Transplantimet e organeve janë rritur në më shumë se 50 për qind në mbarë botën që nga viti 2010, ku rreth 150 mijë janë kryer çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Por, ai thotë se furnizimi me organe plotëson vetëm rreth 10 për qind të nevojës globale.
Tregtia me pjesë të trupit është e paligjshme pothuajse në të gjitha vendet e botës dhe është vështirë për t’u matur. Në vitin 2007, OBSH-ja vlerësoi se 5 deri 10 për qind e organeve të transplantuara vinin nga tregu i zi, porse shifra mund të jetë më e lartë.
Shitjet e paligjshme të veshkave, që nxiten nga varfëria, janë dokumentuar vitet e fundit në të gjithë Azinë, si në Nepal, Pakistan, Indonezi, Afganistan, Indi dhe Bangladesh.
India ka qenë prej kohësh qendër për “turizëm mjekësor” dhe shqetësimi atje për shitjet e veshkave është rritur, pas raporteve në media dhe një hetimi të fundit nga policia.
Korrikun e kaluar, policia në Indi tha se kishte arrestuar shtatë persona në lidhje me tregti ilegale të veshkave, përfshirë një mjeke dhe ndihmësin e saj.
Policia pretendon se grupi organizoi që qytetarë të Bangladeshit, që jetonin në varfëri, të shisnin veshkat e tyre. Përdornin dokumente të falsifikuara për të siguruar miratimin e kryerjes së transplantimit.
Doktoresha Vijaya Rajakumari, që kishte punuar në spitalin prestigjioz “Indraprastha Apollo” në Delhi, supozohet se ka kryer operacionet në një spital tjetër Yatharth, disa kilometra larg.
Avokati i saj tha për BBC-në se akuzat “janë krejtësisht të pabaza dhe pa fakte” dhe se ajo ka kryer vetëm operacione të miratuara nga komitetet autorizuese dhe ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin. Ajo nuk po akuzohet se ka falsifikuar dokumente.
Spitali Yatharth i tha BBC-së se të gjitha rastet, “u nënshtrohen protokolleve tona të forta për të siguruar përputhjen me standardet ligjore dhe etike”.
“Ne kemi përmirësuar edhe më tepër proceset tona për të parandaluar çdo dukuri të tillë në të ardhmen”, tha spitali.
Pas arrestimit të saj, Apollo Hospitals tha se me doktoreshën Rajakumari ka ndërprerë të gjitha bashkëpunimet.
Rajakumari nuk është akuzuar në gjykatë.
“S’ka pendesë”
Prillin e kaluar, një zyrtar i lartë i shëndetësisë u shkroi shteteve në Indi duke paralajmëruar për “rritje” të transplantimeve ku përfshiheshin shtetasit e huaj dhe ka bërë thirrje për monitorim më të mirë.
Sipas ligjeve në Indi, shtetasit e huaj që dëshirojnë të dhurojnë apo pranojnë organe duhet të kenë dokumentet e tyre, përfshirë ato që tregojnë marrëdhënien mes dhuruesit dhe marrësit, të verifikuara nga ambasada e vendit të tyre në Indi.
BBC kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë së Indisë dhe Organizatën Kombëtare të Transplantit të Organeve në Indi, si dhe Qeverinë e Birmanisë, por nuk ka marrë përgjigje.
Aktivisti i shëndetit publik në Birmani, Thurein Hlaing Win, tha se “zbatimi i ligjit nuk është efektiv”.
Ai shtoi se donatorët e mundshëm duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet, duke përfshirë gjakderdhjen gjatë operacionit, dëmtimin e organeve të tjera, si dhe duke shtuar se u nevojitet kujdes i duhur përcjellës.
BBC-ja ka kontaktuar me Zeyan disa muaj pas operacionit të tij.
“Isha në gjendje të shlyeja borxhet dhe të blija tokë”, tha ai.
Por, ai nuk ishte në gjendje të përballonte ndërtimin e shtëpisë dhe nuk ka qenë në gjendje ta ndërtojë vetë pasi po shërohet ende. Ai tha se ka vuajtur nga dhimbjet e shpinës.
“Më duhet ta rifilloj punën së shpejti. Nëse efektet anësore godasin sërish, duhet të përballem me to. S’jam penduar për atë që kam bërë”, thotë ai.
Ai tha se kishte qëndruar në kontakt me pranuesen e veshkës së tij dhe se ajo i kishte thënë se është në gjendje të mirë shëndetësore.
Duke folur në kushte anonimiteti, pranuesja e veshkës i tha BBC-së se kishte paguar 100 milionë kyatë të Birmanisë (22 mijë deri 35 mijë dollarë) në total.
Ajo mohoi që dokumentet ishin falsifikuar, duke pohuar se Zeya ishte i afërm i saj.
Gjashtë muaj pas operacionit të tij, Myo Win tha për BBC-në se kishte shlyer shumicën e borxheve, por jo të gjitha.
“S’kam punë dhe po ashtu s’më ka mbetur asnjë qindarkë”, tregon ai, duke shtuar se që nga operacioni ka pasur disa probleme me stomak.
Ai tha se nuk është penduar, por u thotë të tjerëve të mos e bëjnë.
“Nuk është gjë e mirë”.