Sezon jo i mirë? Rama paralajmëron masa radikale për verën e vitit të ardhshëm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar masa radikale për vitin e ardhshëm lidhur me sezonin turistik veror, për të cilat tha se do të flasë në shtator.
Sipas tij , bizneset nuk po mendojnë strategjikisht, por po ia bëjnë gropën vetes.
“E fundit që kam është që rilindja urbane 2.0 është një program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është një aksion, nuk është një sulm veror dhe ata që thonë që po, pse nuk e lije dot për në dimër, iu them jo, nuk e linim dot për në dimër“.
“Jo, po se kemi turistët nëpër këmbë, mos kini asnjë merak, se çështja e turistëve nuk lidhet me këtë. Çështja e turistëve lidhet me 2 a 3 gjëra të tjera për të cilat do të flasim shumë hapur dhe shumë qartë në shtator. Duke filluar nga një pjesë e industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por po mendon vetëm kap ça të kapësh sot dhe praktikisht po i bën gropën vetes për nesër, pasi gjithë ato investime që po bën, nuk do të mund dot t’i shlyejë dhe as do të mund dot t’i kthejë në investime të qëndrueshme për fëmijët nëse sot vendos çmime të cilat do të hapin me shumë shpejtësi fjalën që është shumë shtrenjtë në Shqipëri”.
“Por do të flasim për këtë, siç do të flasim edhe për plazhet ku kemi bërë një hap të madh përpara këtë vit, por të pamjaftueshëm dhe do të marrin masa radikale edhe me plazhet për vitin e ardhshëm, ku bashkitë do të marrin shumë më tepër forcë, por ama shkundja e bashkive sot është një domosdoshmëri që të gjitha gjërat të shkojnë shumë më mirë nesër dhe që pushteti vendor që ka bërë shumë gjëra, por që ka shumë të meta, të ngrihet në një nivel tjetër” – deklaroi mes të tjerash Rama.