Një tërmet me magnitudë 6.0 ka goditur Japoninë mbrëmjen e Vitit të Ri, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS). Lëkundjet u ndjenë edhe në qytetin Noda më 31 dhjetor, duke shkaktuar panik mes qytetarëve gjatë festimeve të Vitit të Ri.
Sipas të dhënave të USGS, epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 91 kilometra në lindje të qytetit Noda, në një thellësi prej 19.3 kilometrash.
Deri më tani, nuk raportohet për dëme materiale apo viktima, ndërsa autoritetet dhe agjencitë përkatëse janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, një tjetër tërmet me magnitudë 3.4 ka goditur Tibetin. Lajmi u konfirmua nga Qendra Kombëtare e Sizmologjisë (NCS).
Në një postim në rrjetin social X, NCS bëri të ditur se tërmeti ndodhi në orën 15:26 me orën lokale (IST), në një thellësi prej 10 kilometrash, me koordinata gjeografike 30.04° veri dhe 89.83° lindje, në territorin e Tibetit.

