Tërmeti godet Greqinë, lëkundjet ndjehen edhe në Maqedoninë e Veriut

2 Min. Leximi

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.5 ballë të shkallës Rihter ka goditur Greqinë veriperëndimore në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke shkaktuar lëkundje të forta që u ndjenë në një pjesë të madhe të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, përcjell INA.

Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit Matematikor-Natyror në Shkup njoftoi se lëkundjet u regjistruan rreth 200 kilometra në jug të kryeqytetit, me epiqendër në territorin grek pranë zonës kufitare. Sipas të dhënave zyrtare të këtij institucioni, intensiteti i tërmetit në pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut është vlerësuar me III shkallë sipas Shkallës Evropiane Makrosizmike.

Banorët në qytetet e Ohrit, Strugës, Resnjës, Kërçovës dhe Dibrës raportuan se kanë ndjerë lëkundjet, të cilat zgjatën disa sekonda, duke shkaktuar shqetësim te popullata lokale. Megjithëse magnituda në epiqendër ishte e konsiderueshme, deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Në Greqi, autoritetet po monitorojnë situatën pas disa pasgoditjeve që pasuan lëkundjen kryesore. Rajoni i Thesprotisë dhe qyteti i Janinës mbeten zonat më të prekura, ku raportohet për ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike dhe rrëshqitje të vogla dherash në akset rrugore malore. Ekipet e emergjencës mbeten në gatishmëri të lartë në të gjithë zonën e prekur, ndërsa sizmologët paralajmërojnë se pasgoditjet mund të vijojnë gjatë orëve në vijim.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull