Tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë në Times Square të Nju Jorkut, pasi një 17-vjeçar hapi zjarr në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.
Policia e Nju Jorkut ka njoftuar se një person është ndaluar dhe po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen, megjithëse ende nuk janë ngritur akuza zyrtare.
Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, rreth orës 01:20.
Të plagosur janë një vajzë 18-vjeçare me plage të lehtë në qafë, një 19-vjeçar i cili është qëlluar në këmbën e djathtë, ndërsa një burrë 65 vjeç është plagosur në këmbën e majtë.
Të tre u transportuan në spital dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme.
Policia bën me dije se para të shtënave ka pasur një përplasje verbale mes autorit dhe njërës prej viktimave. Arma e përdorur është sekuestruar.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente kaosi, me njerëz që vrapojnë të frikësuar, ndërsa policia ndërhyn dhe i ofron ndihmë të plagosurve në vendngjarje.
Ky incident vjen në një kohë kur qyteti i Nju Jorkut po përjeton një rënie të ndjeshme të krimeve me armë zjarri.
Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025 janë shënuar vetëm 412 incidente me të shtëna, shifra më e ulët për një qytet me 8.4 milionë banorë.