Të dielën seanca për qeverinë e re

1 Min. Leximi

Të dielën do të mbahet seanca për qeverinë e re. Seanca nis nga ora 10 e mëngjesit.

“Po, kemi bërë kërkesë dhe tashmë është ftuar seanca e jashtëzakonshme për të dielën, ora 10:00 me një pikë të rendit të ditës, Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, për Kohën.

Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i kanë mbetur edhe dy ditë kohë ligjore për ta prezantuar kabinetin e ri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ende është e paqartë nëse Kurti i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.

Nëse LVV-ja nuk arrin t’i bëjë 61 vota, presidentja ka detyrën që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull