Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sërish me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kurti ka folur shkurt para hyrjes në Kuvend.
“Tash po shkojmë në takim; ne vazhdojmë dhe i maksimizojmë përpjekjet në mënyrë që javën e ardhshme të kurorëzohet me sukses”, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.
Kryetarët e dy partive më të mëdha në Kosovë ishin takuar edhe ditë më parë.
Kurti ishte takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Takimet e para nuk kanë rezultuar me ndonjë emër të përbashkët për kandidaturë për president.
Deri tash nuk është zyrtarizuar asnjë emër që i ka mbledhur 30 nënshkrime të deputetëve për të qenë kandidat për president.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur ambiciet për të marrë edhe mandatin e dytë pesëvjeçar. Ajo u zgjodh më 4 prill 2021. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars. Ambicie ka shprehur edhe akademiku Arsim Bajrami.
LVV-ja ka 57 deputetë në Kuvend. Bashkë me 9 të komuniteteve joshumicë koalicioni qeverisës nuk arrin të krijojë 80-shin e kërkuar nga Kushtetuta për pjesëmarrje në dy raundet e para të votimit për president. E pas diskutimeve që pati me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, u shpreh se as me 15 votat e këtij subjekti “nuk arrihet siguria e numrave”.
Sipas Kushtetutës, secili shtetas i Kosovës mund të nominohet kandidat për president po qe se i siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve.
“Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet president i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.

