Takim i VLEN me diasporën: Fokus investimet dhe përfshirja institucionale

2 Min. Leximi

Kryetari i Çairit dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka theksuar rolin kyç të diasporës shqiptare në zhvillimin kombëtar, ekonomik dhe kulturor, pas një takimi që zhvilloi me përfaqësues të mërgatës.

“Diaspora mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të zhvillimit tonë kombëtar, ekonomik dhe kulturor”, ka deklaruar Mexhiti.

Ai bëri të ditur se në kuadër të angazhimeve të VLEN-it, ka zhvilluar një takim të frytshëm me Milaim Ziberin, kryetar i Lidhja e Diasporës së Bashkuar Kërçovare, ku është diskutuar për konkretizimin e potencialit të mërgatës në projekte zhvillimore.

“Ishte një bisedë tejet e hapur dhe konstruktive, mes tjerash edhe për mënyrat se si ta shndërrojmë potencialin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë në projekte konkrete për vendin”, është shprehur ai.

Sipas Mexhitit, në fokus të diskutimit ka qenë edhe roli që diaspora ka luajtur ndër vite në forcimin e lidhjeve me vendlindjen, si dhe nevoja për thellimin e bashkëpunimit institucional.

“Qëndrojmë këmbëngulës lidhur me krijimin e mekanizmave më efikas për përfshirjen e diasporës në proceset zhvillimore, në investime strategjike dhe në projekte konkrete që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë”, ka theksuar ai.

Në fund, Mexhiti ka vlerësuar lart përkushtimin dhe organizimin e diasporës shqiptare, duke nënvizuar se zëri i saj duhet të dëgjohet në çdo nivel.

“Zëri i diasporës duhet të dëgjohet dhe të përfaqësohet denjësisht në çdo nivel vendimmarrës”, ka përfunduar Mexhiti.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull