Rruga jonë politike është ndërtuar mbi bindjen se transparenca, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve dhe integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian janë të pandashme.
Si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët, mbetem i palëkundur në këtë vizion: pa barazi reale të shqiptarëve, nuk mund të ketë as integrim evropian dhe as një shtet të drejt dhe funksional.
Unë nuk bëj kompromis me parimet!
Aleanca për Shqiptarët ka një vijë të qartë dhe të kuqe: nuk e kapërcejmë për karrige, për favore apo për premtime boshe. Për ne, çdo pozicion ka vlerë vetëm kur është në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Shqiptarët meritojnë përfaqësim të barabartë në çdo institucion shtetëror – në administratë, drejtësi, polici, ushtri dhe diplomaci. Nuk mund të jemi vetëm numër për formimin e qeverive; duhet të jemi pjesë reale e vendimmarrjes. Heshtja ndaj kërkesave tona është tradhti ndaj qytetarëve tanë – nga shumica maqedonase dhe, fatkeqësisht, edhe nga disa individ dhe disa parti shqiptare që kanë vendosur të qëndrojnë në pushtet.
Barazia qytetare nuk ndërtohet mbi padrejtësi historike. Ajo fillon kur shqiptarët trajtohen si sovranë në këtë shtet. Ndaj, është koha që kërkesa për të drejta të kanalizohet në nivel politik, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Jemi në prag të përvjetorit të parë të ndryshimit të qeverisë, dhe duhet ta themi hapur: pushteti ndryshoi, por shqiptarët mbetën sërish pa perspektivë. Shqiptarët vazhdojnë të ndihen të përjashtuar dhe të papërfaqësuar.
Unë besoj se interesi shqiptar duhet të jetë përparësi kombëtare për çdo intelektual, parti, dhe organizatë. Kjo është rruga drejt një shteti të drejtë, funksional dhe vërtet evropian.
Unë nuk jam në politik për të heshtur. Jam këtu për të vepruar. Besoj në politikën e pastër, në fuqinë e fjalës së drejtë dhe në dinjitetin që buron nga veprimi me përgjegjësi.
Besoj në këto parime. Beso edhe ti. Sepse vetëm kështu ndërtojmë një të ardhme me dinjitet – për ne, për vendin tonë
