Sulejmani për kampusin e ri të UNT-së: Nuk jemi si qeveritë e kaluara që projektet të na zgjasin nga 20 vite

3 Min. Leximi

Zëdhënësi i VLEN, Driton Sulejmani në intervistën për Alsat-M lidhur me projektin e Kampusit të ri universitar “Nënë Tereza” përsëriti se ka vendim të qeverisë, përmes të cilit do të financohet. Ai financim, sipas tij do të zhvillohet në faza.

“Nuk duhet të ketë pritje se në buxhetin e vitit 2026 menjëherë do të jenë prezent 35 milionë euro për arsye se punët do të zhvillohen në faza, ashtu edhe do të vijnë mjetet. Për të filluar punimet duhet të kompletohet dokumentacioni projektues, parametrat arkitektonike që janë të kushtueshme. Në buxhetin e vitit 2026 janë paraparë 1 milionë euro që do i ketë në dispozicion UNT, pastaj faza e ndërtimit që qeveria do ta përkrah padyshim, sepse ka vendim qeveritar për ta ndërtuar atë kampus. Ne nuk jemi si qeveritë e kaluara që projektet të na zgjasin nga 20 vite, ashtu siç kemi premtuar dhe do të bëhet”, tha Sulejmani.

Përcaktimi i kohës, sipas tij, duhet të shihet nga dokumentacioni projektues, sepse bëhet fjalë për një projekt shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me zhvillimin e gjeneratave të ardhme dhe ne si koalicioni VLEN, shton ai, “nuk bëjmë loja të tipit, sikur kanë bërë tjerët më herët”.

Sulejmani thekson se edhe për fazën e tretë të “Sheshit Skënderbeu”-parkingun nëntokësor ka vendim të qeverisë se do të realizohet, e pamë këtë në opinion që reagoi edhe zv/ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, se nuk ka anulim të projektit, por vetëm se një gabim teknik në procedurën e prokurimit publik.

“Ai gabim do të përmirësohet dhe projekti për Sheshin Skënderbeu do t’i nënshtrohet procedurës së prokurimit publik”, tha tutje Sulejmani.

Nuk ka mospajtime rreth ministrive

Sipas përfaqësuesit të VLEN, Sulejmani, nuk ka mospajtime brenda koalicionit me kryeministrin rreth posteve ministrore që mbetën vakante pas zgjedhjeve lokale.

“Çdoherë kur VLEN ka propozuar emra të cilët përfaqësojnë shqiptarët qoftë në ekzekutiv apo komuna, kemi qenë të vëmendshëm. Qëllimi jonë ka qenë që të propozojmë emrat më të mirë të mundshëm që do të realizojnë programet. Tani për tani kemi dakordësim ajo që Bekim Sali do të jetë zv/kryeministër i parë i ardhshëm, do të diskutohen edhe se kush do ta përfaqësojë VLEN në Ekologji etj” tha Sulejmani.

Lidhur me të besuarit nëpër komunat, siç tha ai, ende po bisedohet për emra, por që vendim final ende nuk ka.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull