Lëvizja studentore në Serbi, që prej muajsh udhëheq protestat antiqeveritare ka organizuar sërish demonstrata të fuqishme të hënën mbrëma, duke bllokuar hyrjet e transmetuesve publikë në dy qytetet më të mëdha të vendit.
Protestuesit u mblodhën para selisë së Radio Televizionit të Serbisë (RTS) në Beograd, ku bllokuan hyrjet kryesore dhe ngritën tenda përballë ndërtesës. Të njëjtat skena u panë edhe në stacionin e RTS në kryeqytet, si dhe në ambientet e Radio Televizionit të Vojvodinës në Novi Sad.
Policia ishte e pranishme në vendngjarje, por nuk ndërhyri gjatë protestës, e cila u zhvillua pa incidente të dhunshme.
Studentët akuzojnë transmetuesit kombëtarë për mosmbulim të drejtë dhe të paanshëm të protestave, duke i quajtur ata “zëdhënës të qeverisë”.
“Transmetuesi publik po punon kundër të gjithëve ne. Ai nuk i jep zë të vërtetës.” shkruan ata në një postim në rrjetet sociale.
Pjesë e demonstratës ishin edhe bllokada simbolike dhe kamping me tenda, ndërsa organizatorët paralajmëruan që kjo mund të shndërrohet në një aksion të përhershëm nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të injorohen.
Protestat nisën në nëntor 2024, pas një tragjedie të rëndë në stacionin hekurudhor të rinovuar në Novi Sad, ku shembja e një çatie betoni shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ngjarja nxiti zemërim të madh publik, veçanërisht mes të rinjve, që akuzuan autoritetet për neglizhencë dhe korrupsion në projektet publike.
Në sfondin e protestave të studentëve, parlamenti serb pritet të votojë sot kabinetin e ri qeveritar. Partia Progresive Serbe në pushtet, e cila drejton vendin që nga viti 2012, është përballur me krizën më të thellë politike të dekadës së fundit.
Nga 30 ministri të kabinetit të ri, 22 drejtohen nga emra të vjetër, shumica duke mbajtur të njëjtat poste si më parë një vendim që shihet nga opozita si mungesë vullneti për reformë të vërtetë.