Struga Trim Lum ka rigjetur fitoren në kampionat, pasi triumfoi në derbin e fortë përballë Shkëndijës në kuadër të xhiros së 22-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.


Në duelin e luajtur në Strugë, pjesë e parë u mbyll me barazim pa gola, teksa në të dytën, struganët gjetën tre golat e fitores. Radiq zhbllokoi shifrat, Radeski ngriti epërsinë në 2:0 dhe sërish Radiq ishte ai që vulosi këtë takim. Për Strugën kjo ishte fitorja e parë në gjysmësezonin pranveror, pas tre humbjeve radhazi, teksa disfatë e parë për Shkëndijën këtë vitë.
Ndërkohë ka fituar Gostivari në transfertën ndaj Brerës me një gol të vetëm të shënuar nga Ervin. Shkupi ka humbur në këtë xhiro, duke u mundur nga Tikveshi me shifrat 1:0, ndërsa me rezultat identik humbi edhe Voska nga Pelisteri.
Humbje të thellë ka pësuar Besa e Dobërdollit që u mund 5:0 nga Sileksi, përderisa në duelin tjetër të kësaj xhiroje, Vardari fitoi Rabotniçkin me rezultat 2:0. Me këto ndeshje të luajtura, mbyllet edhe rrethi i dytë i këtij sezoni në elitë. /SHENJA/