Sot në Kuvend pritet të miratohet Ligji për Kundërvajtje, që mundëson nisjen e sistemit ‘Safe City’ nga 1 shkurti!

3 Min. Leximi

Kuvendi sot do të mbajë vazhdimin e seancës së 76-të, në rendin e ditës së së cilës është votimi për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje, me procedurë të shkurtuar, ligji i fundit i nevojshëm që nga 1 shkurti të fillojë funksionimi i sistemit “Qytet i Sigurt”, për regjistrim dhe sanksionim automatik të kundërvajtjeve në trafik. Mbështetja e nevojshme me shumicë prej dy të tretash për ligjin, për të cilin debati tashmë ka përfunduar, u sigurua në takimin e liderëve javën e kaluar, të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski. Vetëm opozita LSDM ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet e Ligjit.

Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, Rina Ajdari, në një konferencë për media më 20 janar, theksoi se do të votojnë për Ligjin për kundërvajtje në seancë. Ajo theksoi se, nëse vërejtjet e tyre nuk zbatohen, në të ardhmen do të paraqesin propozim me ndryshime të reja të Ligjit.
Me këtë Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje parashihet mundësia e zbatimit të teknologjive të reja (sistem për detektim përmes mjeteve teknike dhe pajisjeve për incizim), të cilat mund të jenë një mjet i mirë për zbulim të shpejtë dhe efikas të kundërvajtjeve në trafik dhe për zbatimin e procesit të sanksionimit të tyre.

Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë: tejkalim shpejtësie, kalim në dritë të kuqe, skadim të vlefshmërisë së lejes së qarkullimit dhe parkim të parregullt. Në fazën e ardhshme parashihet zgjerimi i spektrit të kundërvajtjeve.
Kur sistemi të vihet plotësisht në funksion, pronarët e automjeteve për të cilat konstatohet kundërvajtje do të marrin mesazh SMS dhe e-mail me link për shkarkimin e procesverbalit me urdhërpagesë. Kundërvajtjet do të mund të paguhen në mënyrë elektronike dhe, nëse pagesa bëhet me kohë, nuk do të ngarkohen shpenzime shtesë. Për kundërvajtje të caktuara, për të cilat është paraparë edhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit, Ministria e Punëve të Brendshme do të parashtrojë kërkesë për nisjen e procedurës pranë gjykatës kompetente.

Në kuadër të seancës së 76-të është edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpërblimet shtetërore – leximi i parë. Kuvendi sot do të mbajë gjithashtu vazhdime të dy seancave plenare. Në kuadër të seancës së 81-të kanë mbetur Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për punë të brendshme dhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për policinë, të dy me procedurë të shkurtuar. Në seancën e 20-të është Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrin e posaçëm për persona të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale të abuzimit seksual të të miturve dhe pedofili, në lexim të parë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull