Skemë ryshfeti për dokumente personale: Të përfshirë dy policë, një profesoreshë dhe një zjarrfikës

5 Min. Leximi

policë, një profesoreshë e shkollës së mesme dhe një zjarrfikës kanë marrë kallëzime penale pasi, për shpërblime me para, u mundësonin qytetarëve të nxirrnin më shpejt pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shoferi. Ata do të ndiqen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe pranimin e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm.

Kallëzim penal është ngritur kundër policit M.S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” sipas nenit 353 paragrafi 1 të Kodit Penal, si dhe veprën “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 2 në lidhje me nenet 22 dhe 45 të Kodit Penal.

Polici P.P., i punësuar në Njësinë e Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup, dyshohet për “pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 7, në lidhje me paragrafin 2 dhe nenin 22 të Kodit Penal, si dhe për veprën “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 2 në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal.

Mësimdhënësja në një shkollë të mesme në Shkup, V.R., dyshohet për “pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 7, në lidhje me paragrafin 2 dhe nenin 22 të Kodit Penal.

Zjarrfikësi A.S., i punësuar në Qytetin e Shkupit, dyshohet gjithashtu për “pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 7, në lidhje me paragrafin 2 dhe nenin 22 të Kodit Penal.

Sipas MPB-së, të dyshuarit gjatë periudhës nga shkurti deri në prill 2024, me marrëveshje paraprake, krijuan një skemë duke organizuar dhe realizuar procedura për lëshimin e dokumenteve personale (letërnjoftime, pasaporta dhe patenta shoferi), me qëllim përfitimin e kundërligjshëm financiar.

Personat e tretë dhe të katërt gjenin qytetarë të interesuar që kishin nevojë për dokumente personale, merrnin të dhënat e tyre në formë fotografish dhe ia dërgonin të dyshuarit të dytë P.P. Ai ndërmjetësonte që qytetarët të nisnin procedurën, duke nxitur të dyshuarin e parë M.S., i cili si person zyrtar kryente fotografimin dhe pranimin e kërkesave si pjesë e detyrave të tij të rregullta.

Këto veprime, sipas policisë, kryheshin mbi bazën e një marrëveshjeje paraprake për kompensim financiar me çmim, kohë dhe mënyrë të saktë realizimi, me role të qarta, duke krijuar një mënyrë paralele joformale të veprimit që mundësonte shërbime më të shpejta publike kundrejt pagesës, duke shkelur parimin e qasjes së barabartë të qytetarëve në shërbimet publike.

Ish-përfaqësuesja e kombëtares maqedonase të hendbollit, Valentina Raduloviq, reagoi publikisht pasi Ministria e Punëve të Brendshme paraqiti kallëzim penal kundër saj dhe edhe tre personave të tjerë, lidhur me veprime të dyshuara të paligjshme në lëshimin e dokumenteve personale.

Në një postim në rrjetet sociale, Raduloviq i mohoi kategorikisht akuzat, duke thënë se bëhet fjalë për keqpërdorim të komunikimit të saj privat.

“Refuzoj kategorikisht akuzat për përfshirjen time të pretenduar në veprime të paligjshme lidhur me lëshimin e dokumenteve personale. Një mesazh personal drejtuar një miku, të punësuar në MPB në sektorin e pasaportave, për urgjencë për persona të afërt që kishin nevojë urgjente për pasaportë të re me emrin e ri, gjatë një periudhe kur kishte vonesa në lëshim, është keqpërdorur për të më implikuar,” shkroi Raduloviq.

Ajo shtoi se nuk mund ta kishte parashikuar që një kërkesë miqësore do të përdorej në këtë kontekst dhe theksoi se nëse ekziston një procedurë ku përmendet emri i saj, do të provojë pafajësinë para institucioneve kompetente.

Nga MPB njoftuan se V.R. dyshohet së bashku me dy policë dhe një zjarrfikës për marrje ryshfeti nga qytetarë, të cilëve u mundësohej lëshimi më i shpejtë i dokumenteve personale.

Sipas policisë, të dyshuarit në periudhën shkurt–prill 2024 kishin krijuar një skemë për ndërmjetësim të paligjshëm në lëshimin e letërnjoftimeve, pasaportave dhe patentave të shoferit, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm financiar.

“Me marrëveshje paraprake, të kallëzuarit organizuan një mënyrë paralele joformale veprimi, me role të qarta, çmim të përcaktuar, kohë dhe mënyrë realizimi, duke mundësuar kundrejt pagesës realizim më të shpejtë të të drejtave për shërbime publike, duke shkelur parimin e qasjes së barabartë të qytetarëve,” njoftoi MPB.

Hetimi për rastin është në vijim, ndërsa institucionet kompetente paralajmëruan informacione shtesë pas përfundimit të tij.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull