Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka reaguar ashpër ndaj përfaqësimit skajshmërisht të ulët të shqiptarëve në pozita udhëheqëse në ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit.
Sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit për vitin 2024, shqiptarët zënë vetëm 5.9% të pozicioneve udhëheqëse – konkretisht, vetëm 10 nga 170 pozita drejtuese në këto institucione.
Nevzati akuzon kryetaren e Qytetit të Shkupit për degradim institucional dhe për përdorim të drejtorëve të ndërmarrjeve publike si vegla të lojërave politike, në vend që të angazhohet për përfshirje të drejtë të shqiptarëve në nivele vendimmarrëse.
Raporti zyrtar tregon se, me përjashtim të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, ku shqiptarët tradicionalisht kanë pasur përfaqësim më të lartë, situata në gjashtë ndërmarrjet e tjera publike është alarmante dhe tregon diskriminim të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve.
Faruk Nevzati kërkon që institucionet të marrin masa konkrete për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke rikujtuar se kjo është një e drejtë kushtetuese, jo një privilegj.