Një tjetër skandal po trondit administratën e Qytetit të Shkupit. Gazetarja e njohur Jadranka Ivanovska ka publikuar të dhëna tronditëse që ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën e menaxhimit të parasë publike nga drejtuesit e ndërmarrjeve publike të drejtuara nga njerëz të afërt me BDI-në.
Sipas saj, drejtori aktual i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, i emëruar nga Blerim Bexheti, më 24 shkurt 2025 ka nënshkruar kontrata për angazhimin e tre kontabilisteve të jashtme, për të cilat janë paguar gjithsej 35 mijë euro nga buxheti i ndërmarrjes.
Gazetarja ironizon faktin se ndërmarrja numëron mbi 1.200 të punësuar, duke shtuar pyetjen retorike: “Mos po përgatisin pasqyrat financiare të Amerikës së Veriut dhe të Jugut?”
Skandali vjen në një periudhë kur kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është nën kritika të vazhdueshme për emërimet dhe bashkëpunimin e saj me kuadro të BDI-së në drejtimin e ndërmarrjeve publike. Ivanovska e përmbyll postimin e saj me paralajmërimin se dokumentet e plota do të publikohen sonte në mbrëmje.