Si do ta përmirësojë jetën e përditshme sistemi i ri i menaxhimit të mbeturinave?

4 Min. Leximi

Projekti SENE3 – “Mbështetja e Zbatimit të Sistemeve Rajonale të Menaxhimit të Mbeturinave në Rajonin Lindor dhe atë Verilindor” të Maqedonisë së Veriut synon të ndihmojë vendin në krijimin e një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm rajonal të menaxhimit të mbeturinave. I financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit IPA II, ai mbështet komunat, ndërmarrjet publike komunale dhe qendrat rajonale të menaxhimit të mbeturinave përmes ndërtimit të kapaciteteve, asistencës teknike dhe fushatave të ndërgjegjësimit publik. Projekti promovon grumbullimin efikas të mbeturinave, riciklimin dhe reduktimin e sasisë së mbeturinave, duke kontribuar në rajone më të pastra, shërbime publike të përmirësuara dhe mbrojtje më të fortë të mjedisit jetësor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Një ndryshim i madh po ndodh në Rajonin Lindor dhe atë Verilindor – një ndryshim që do të sjellë një mjedis më të pastër, shërbime më të mira për menaxhimin e mbeturinave dhe kushte më të shëndetshme jetese për të gjithë. Përmes Projektit SENE3, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, po krijohet një sistem krejtësisht i ri rajonal i menaxhimit të mbeturinave për të zëvendësuar praktikat e vjetruara dhe të pasigurta që kanë prekur komunitetet lokale për dekada të tëra.

Reciklimi, projekti SENE3
Reciklimi, projekti SENE3

Projekti është hartuar për ta bërë menaxhimin e mbeturinave modern, efikas dhe të përgjegjshëm ndaj mjedisit jetësor duke i ndihmuar njerëzit dhe komunat të kuptojnë se si ta mbajnë sistemin në funksionim pa pengesa. Duke prezantuar parimet e ekonomisë rrethore të Bashkimit Evropian, projekti tregon se mbeturinat nuk janë vetëm një problem, por një burim i vlefshëm që mund të riciklohet, ripërdoret dhe menaxhohet në një mënyrë që mbron natyrën dhe përmirëson jetën e përditshme.

Për qytetarët, përfitimet do të ndihen kudo. Rrugë më të pastra, hapësira më të gjelbra dhe largimi (asgjësimi) më i sigurt i mbeturinave së shpejti do të bëhen pjesë normale e jetës në 18 komunat e mbuluara nga projekti. Mbyllja e deponive jostandarde dhe të paligjshme do të thotë më pak ndotje e tokës dhe ujit dhe jo më djegie të mbeturinave në zona të hapura. Kjo përkthehet në ajër më të pastër, rreziqe më të ulëta shëndetësore dhe një mjedis jetësor më të sigurt për fëmijët dhe familjet.

Projekti SENE3 po ndihmon në krijimin e komuniteteve më të shëndetshme. Duke eliminuar djegien e mbeturinave në ambiente të hapura dhe deponitë e pakontrolluara, zvogëlohet rreziku i sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të transmetuara nga uji. Lagjet më të pastra dhe zonat publike të gjelbra do t’i bëjnë qytetet dhe fshatrat vende më të këndshme për të jetuar dhe punuar.

Ky transformim shkon krah për krah me një ndërgjegjësim më të madh publik. Qytetarët inkurajohen të ndajnë materialet e riciklueshme, të praktikojnë kompostimin në shtëpi dhe të përdorin Pikat e reja të grumbullimit për materialet që nuk i përkasin koshëve të mbeturinave shtëpiake, si dhe të marrin pjesë aktive në ndërtimin e një të ardhmeje më të pastër.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Rajoni Lindor dhe ai Verilindor po tregojnë se progresi i vërtetë fillon në nivel lokal. Projekti SENE3 dëshmon se kur futen në përdorim sisteme moderne të menaxhimit të mbeturinave — dhe kur qytetarët, institucionet dhe komuniteti punojnë së bashku — të gjithë përfitojnë. Një jetë më e pastër, më e sigurt dhe më e qëndrueshme nuk është më një ide për të nesërmen. Kjo po ndodh tani, në të gjithë Lindjen dhe Verilindjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull