Shqipëria drejt roamingut pa tarifa me BE-në: Projektligji hidhet në konsultim publik

2 Min. Leximi

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë nxori dje për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për komunikimet elektronike’”, që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian për zbatimin e regjimit “Roaming Like At Home” (RLAH).

Nisma ligjore vjen në kuadër të procesit të përshpejtuar të integrimit të vendit në tregun unik digjital të BE-së. Sipas relacionit shoqërues, objektivi politik është që zbatimi efektiv i tarifave zero për roaming me Bashkimin Evropian të realizohet në vitin 2026.

Projektligji konsiderohet një hap i domosdoshëm për vendosjen e RLAH, që pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të përmirësojë klimën e biznesit mes Republikës së Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së, duke afruar më tej vendin me standardet e tregut unik digjital evropian.

Një risi e rëndësishme e këtij projektligji është parashikimi, për herë të parë, i dispozitave ndëshkuese administrative, përfshirë gjoba për operatorët që nuk do të respektojnë rregullat e reja të shërbimit roaming. Po ashtu, ligji harmonizon tarifat e terminimit të thirrjeve zanore me shumicë (wholesale), një hap teknik i nevojshëm për uljen e kostove për përdoruesit.

Zbatimi i RLAH do t’u mundësojë qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian të përdorin minutat, SMS-të dhe internetin e paketave të tyre kombëtare pa kosto shtesë, njësoj siç ndodh aktualisht me vendet e Ballkanit Perëndimor. E njëjta skemë do të vlejë edhe për qytetarët evropianë që vizitojnë Shqipërinë, me ndikim pozitiv në turizëm dhe në klimën e biznesit.

Palët e interesuara kanë në dispozicion 20 ditë nga shpallja e njoftimit për të paraqitur komentet dhe rekomandimet e tyre mbi projektligjin, përpara se ai të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend. Për zbatimin e ligjit do të përgjigjen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. /TRT Balkan/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull