Shkupi do të shndërrohet në një qendër të gjallë të folklorit botëror nga data 21 deri më 25 korrik, me edicionin e 7-të të festivalit ndërkombëtar FOLKFEST, i cili këtë vit pritet të jetë më madhështor se kurrë më parë.
Në këtë spektakël kulturor do të marrin pjesë grupe artistike nga 15 shtete të ndryshme, nga katër kontinente të botës, përfshirë: Maqedoninë e Veriut, Meksikën, Turqinë, Qipron Veriore, Spanjën, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Ukrainën, Lituaninë, Bullgarinë, Hungarinë, Gjeorgjinë, Poloninë dhe të tjera.
Publiku do të ketë mundësi të përjetojë një atmosferë unike me valle tradicionale, kostume popullore, këngë epike dhe energji autentike kulturore që tejkalon kufijtë kombëtarë.
Lokacionet kryesore të festivalit:
Sheshi Skënderbeu – aktivitetet do të zhvillohen gjatë gjithë festivalit nga 21 deri më 25 korrik.
Sheshi Maqedonia – do të jetë skena e performancave më të veçanta më 22 korrik.
“FolkFest” vjen si një platformë për ndërlidhjen e popujve, përmes trashëgimisë kulturore, duke promovuar paqen, miqësinë dhe respektin për diversitetin.
Një ngjarje që nuk duhet humbur për të gjithë dashamirët e folklorit dhe artit tradicional!