Në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut është organizuar një bashkëbisedim me temë “Ndërtimi i Botës së Re: Ura Akademike dhe Kulturore për Rininë e Ballkanit”, raporton Anadolu.
Në aktivitetin e mbajtur në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), me mbështetjen e Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), morën pjesë kryetari i Bordit të Besimit të Fondacionit “Ilim Yayma”, Bilal Erdoğan, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i YTB-së, Abdulhadi Turus, presidenti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, nënkryetarët e AK Partisë, Hasan Basri Yalçın dhe Zafer Sırakaya, kryetari i Bordit të Administratorëve të Fondacionit “Ilim Yayma” Necmeddin, Bilal Erdoğan, kryetari i Bordit Drejtues të IBU-së, Bilal Sucubaşı, rektori i IBU-së Prof. Dr. Lütfi Sunar, deputetë nga Maqedonia e Veriut, studentë dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij, Erdoğan foli për rëndësinë që presidenti Recep Tayyip Erdoğan i kushton IBU-së.
Duke theksuar se sipas disave Shteti Osman ishte një shtet ballkanik dhe se Ballkani nuk është një rajon të cilit mund t’i kthehen shpinën, Erdoğan tha: “Nga ana tjetër, në Turqi sot, brenda popullsisë prej 86 milionësh, ndoshta numri i atyre nga Maqedonia është më i madh se në vetë Maqedoninë, apo jo? Kur e shohim, ky vend neve na dha një fqinj dhe një te afërm”.
Erdoğan vuri në dukje se koha moderne ka çuar në degradimin e njeriut dhe largimin nga vlerat që e bëjnë njeriun njeri.
Duke folur për idealet e rinisë së tij, Erdoğan tha: “Një Turqi më e ndritur, më e zhvilluar. Një botë ku bota islame ngrihet dhe sjell shpresë më të fortë për botën. Ne u rritëm duke kundërshtuar shkëputjen e rendit botëror që nga fëmijëria”.
Erdoğan shtoi se Turqia, gjatë 23 viteve nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan, ka arritur suksese të mëdha.
– “Ballkani do të jetë i pari që do të reagojë ndaj një bote që hesht”
Turus, nga ana tjetër, në fjalën hapëse para panelit theksoi se ndërtimi i një bote të re nis nga Ballkani.
Duke e cilësuar Ballkanin si pararendës të vizioneve për botën, Turus tha: “Nga këto troje kanë lindur filizat. Besoj se në një botë ku sot mbizotëron kaosi dhe ku fatkeqësisht vriten foshnja pa u dëgjuar zëri i askujt, Ballkani do të jetë sërish i pari që do të reagojë”.
Presidenti i TIKA-s, Abdullah Eren, falënderoi YTB-në për organizimin e programit dhe u shpreh se TİKA do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut dhe rajonin e Ballkanit.
Kryetari i Bordit Drejtues të IBU-së, Bilal Sucubaşı, deklaroi se IBU nuk është vetëm një institucion që synon sukses akademik, por edhe një vatër që bashkon kultura të ndryshme dhe forcon lidhjet shpirtërore midis Ballkanit dhe Turqisë.
Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lütfi Sunar, tha se janë shumë të lumtur që universiteti i tyre po pret një aktivitet kaq të rëndësishëm në zemër të Ballkanit.
Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve, me mbështetjen e YTB-së, u hap edhe ekspozita “Palestina përmes gjuhës së penelit”, me vepra të artistëve palestinezë.

