Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka marrë pjesë sot në një ngjarje të rëndësishme për shkollën fillore “Liria”, ku u prezantua një donacion prej 1.200.000 denarësh nga Agjencia për Komunikime Elektronike (AEK), e udhëhequr nga z. Jeton Akiki. Ky investim ka mundësuar përmirësimin e infrastrukturës digjitale të shkollës, duke krijuar një mjedis më të avancuar për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Donacioni përfshin kompjuterë, laptopë, një smart tabelë dhe printerë, duke bërë të mundur krijimin e një kabineti modern të informatikës. Ky investim synon të ndihmojë nxënësit në zhvillimin e aftësive teknologjike, të cilat janë të domosdoshme në epokën digjitale.
Ganiu falënderoi drejtoreshën e shkollës, znj. Teuta Idrizi, për angazhimin e saj në këtë projekt, si dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike për kontributin e çmuar në përmirësimin e kushteve të arsimit në Çair.
“Investimi në arsim është investim në të ardhmen e shoqërisë sonë. Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar në avancimin e infrastrukturës arsimore, duke krijuar një mjedis modern, inovativ dhe cilësor për të gjithë nxënësit tanë,” theksoi Ganiu gjatë fjalës së tij.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të shkollave dhe rritjes së mundësive për gjeneratat e reja në një treg gjithnjë e më të dixhitalizuar.