Ish-kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, kërkoi dorëheqjen e udhëheqjes aktuale të LSDM-së për shkak të rezultateve katastrofale të punës së saj.
Shilegov e akuzoi liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, se po e çon partinë drejt zhdukjes.
“Të reduktosh mbështetjen e partisë në vetëm rreth njëqind mijë vota dhe vetëm 15 deputetë, të bëhesh partia e pestë në Shkup dhe e treta në Maqedoni – çfarë është kjo nëse jo katastrofë?”, tha Shilegov në Tv Telma.
“Do të ketë kërkesa të caktuara jo vetëm nga ana ime, por edhe nga një grupim serioz brenda partisë, mes të cilëve ka edhe deputetë aktualë, të cilët gjithashtu nuk kanë asnjë komunikim me udhëheqjen. Kur një pjesë e deputetëve të dalin nga partia, ndoshta gjysma e grupit parlamentar, kur një pjesë e udhëheqjeve komunale t’ju mbyllin dyert, atëherë do ta kuptoni se duhet të largoheni nga funksioni,” tha Shilegov.
“As unë personalisht dhe as njerëzit të cilëve u intereson LSDM-ja nuk duhet të punojnë kundër partisë,” tha Shilegov, duke theksuar se teza se ky kongres do të jetë i suksesshëm apo i pasuksesshëm është e rreme.
Sipas tij, nëse kongresi rezulton i suksesshëm, ai do të jetë vetëm një verifikim i asaj që ai e quan “politika të gabuara” që janë ndjekur në periudhën e kaluar.

