Me parashtrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve në Gjykatën themelore në Strugë sot ka filluar sërish procesi ndaj kryetarit të komunës, Ramiz Merko për blerjen e veturës “Audi A6” për nevoja të Komunës së Strugës. Gjykimi për vendosjen e pllakës përkujtimore në hyrje të ndërtesës së komunës është shtyrë për arsye shëndetësore të prokurorit që e udhëheq lëndën.


Debati gjyqësor për blerjen e automobilit luksoz ka nisur nga fillimi për shkak të ndërrimit të gjyqtarit, i cili në seancën e kaluar ka kërkuar kohë për të shqyrtuar shkresat për rastin. Edhe pse mbrojtja ka parashtruar ankesë për vjetërsinë e lëndës, ajo është refuzuar nga gjyqtari i mëparshëm, ndërsa e ka pranuar gjyqtari i ri, Jordan Jovanov. Sipas tij, vendimi mbetet në fuqi, pasi ka ndërprerje të vjetërsisë.
“Duke marrë parasysh se paraprakisht ishte marrë vendim nga kolegia, e cila e udhëhiqte lëndën, se nuk pranohej ankesa, unë përsëri e mora të njëjtin vendim, sepse besoj se ka ndërprerje të afatit të vjetërsisë. Për këto arsye e rihapim debatin dhe filluam sërish me parashtrimin e provave”, tha Jovanov.
Lista e dëshmitarëve, nënvizoi, është e gjerë, por ai si gjyqtar do të vendos nëse do ta pranojë atë në tërësi, duke theksuar se nuk do të tolerojë mosparaqitjen e dëshmitarëve pa arsye të justifikuara, siç ishte rasti me mungesën e dyve në seancën e sotme.
“Ato që janë dhënë, nuk konsideroj se janë prova të arsyeshme dhe në pajtim me Ligjin. Nëse Gjykata vlerëson se dëshmitari po i shmanget paraqitjes, mund të përdoret mekanizëm për ta sjellë në Gjykatë”, sqaroi Jovanov.
Sipas tij, “tani për tani nuk ka mundësi për vjetërsimin e veprës, respektivisht vjetërsim do të kishte në vitin 2028”.
Në seancën e sotme, me kërkesë të mbrojtjes, dëshmoi dëshmitarja Nade Bojaxhievska, revizore në Entin shtetëror për revizion, e cila ishte pjesë e ekipit që ka kryer revizionin në vitin 2019 në Komunën e Strugës. Ajo konfirmoi se i qëndron asaj që shkruhej në raport, e që ka të bëjë me vitin 2018.
Mbrojtja e Merkos raportin revizor e interpreton se nuk ka pasur paligjshmëri në procedurën e prokurimit të automjeteve.
Procesi gjyqësor ka nisur në prill të vitit të kaluar dhe Merko akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, për shkak të blerjes së katër automjeteve me vlerë të përgjithshme rreth 114 mijë euro, mes të cilave edhe një automobil luksoz “Audi A6”, duke dëmtuar, thuhet, buxhetin e Komunës në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë dhe në kundërshtim me interesin publik në kushte kur Komuna kishte borxhe të papaguara dhe llogari të bllokuar bankare. Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal për keqpëdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar – neni 353, parashikohet dënim me burg nga një deri katër vjet.