“Jemi duke jetuar në momente të vështira politike dhe duhet dhënë më tepër seriozitet edhe organizimeve politike dhe qasjes që duhet të kemi ndaj organizimeve politike”, kështu ka deklaruar kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela mbrëmë në emisionin “Debat në Shenja”. Sa i përket Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ai tha se nuk i frikësohet kompetencës profesionale, por paragjykimit. Ai thotë se ky ligj u fut në Kushtetutë për shkak se kishte diskriminim në bazë etnike ndaj dhe duhej ligj në mënyrë që të ndërpritet diskriminimi në bazë etnike.
Ziadin Sela, kryetari i Lidhjes Shqiptare
“Tash zoti Shasivari le të kthehet në gjenezë le t’ia bëj pyetjen vetes, pse u desht një e drejtë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pse këtë të drejtë e implementojnë shtetet të cilët janë multietnike, se shtete që janë monoetnike nuk kanë nevojë dhe që kanë demokraci të zhvilluar nuk kanë nevojë për kësi gjëra. Ai duhet ta dijë shumë mirë se pse u fut në kushtetutë kjo e drejtë, u fut për shkak se kishte diskriminim në bazë etnike dhe duhet ligj në mënyrë që të ndërpritet diskriminimi në bazë etnike”.
Ndërkaq sa i përket deklaratave të zv/kryeministrit Aleksandar Nikollovski se parimi i fituesit me fituesin nuk do të vlej as në zgjedhjet e ardhshme, Sela thotë se kjo është dëshirë e tij. Ndërsa sa i përket partisë në pushtet VMRO-DPMNE-së ai thotë se ata po sillen si në vitin si në vitin 2008 kur BDI-së ia vendosi kusht Ligjin për Përdorimin e gjuhëve që e flasin mbi 20% e popullatës dhe që është e ndryshime nga maqedonishtja, nëse dëshirojnë të hyjnë në Qeveri.
Ziadin Sela, kryetari i Lidhjes Shqiptare
“Shumë saktë e ka thënë Arbën Xhaferi: Në Maqedoni çfarë ta lejon Kushtetuta ta pamundësojnë me ligj, çfarë ta mundëson ligjin ta ndalon ai te sporteli ai i administratës. Tani VMRO-DPMNE e shtyn përfaqësimin e drejt dhe adekuat që ta bëjë të parealizueshëm.Nëse Kasami i pranon kushtet e mia, le të vije bashkë me Mexhitin tek unë dhe bashkërisht këto kushte t’ia vendojmë Mickoskit, nëse këto kushte nuk i pranon bashkarisht edhe me mu bëjmë Frontin Shqiptar”.
Tutje Sela tha se ka kërkuar kushte në të mirën e shqiptarëve dhe jo për vete, duke theksuar se badenterin në Gjykatën Kushtetuese nuk e kërkon për të siguruar për nevojat e tij por për të siguruar ligjet që thuhet se janë të mira për shqiptarët që mos t’i rrëzojë Gjykata Kushtetuese e udhëhequr vetëm nga parimi etnik.
Anida Murati /SHENJA/

