SEKTORI i NDËRTIMIT: Më pak leje, më pak investime!

3 Min. Leximi

Në përgjithësi, megjithëse dhjetori 2025 shënon rënie krahasuar me vitin e kaluar, sektori i ndërtimit mbetet një faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe urban në vend

 

Albina REKA

Shkup, 13 shkurt Sipas entit shtetëror të statistikave, sektori i ndërtimit është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në RMV, pasi ndikon drejtpërdrejt në punësim, investime, zhvillim urban dhe përmirësim të infrastrukturës. Të dhënat për dhjetor 2025 japin një pasqyrë të qartë mbi gjendjen dhe drejtimin e këtij sektori në fund të vitit, shkruan gazeta KOHA.

Në dhjetor janë lëshuar gjithsej 237 leje ndërtimi, që paraqet një rënie prej 17.4 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo tregon një ngadalësim të aktivitetit ndërtimor në aspektin e numrit të projekteve të reja. Po ashtu, vlera e parashikuar e objekteve sipas lejeve të lëshuara arrin në 3 988 378 mijë denarë, që është 19.5 për qind më pak krahasuar me dhjetorin e vitit paraprak. Rënia në vlerë tregon se investimet e planifikuara janë më të ulëta, si në numër ashtu edhe në përmasa financiare.

Nga numri i përgjithshëm i lejeve, 140 (59.1 për qind ) janë të destinuara për ndërtesa shumëkatëshe, 42 (17.7 për qind) për ndërtesa inxhinierike civile dhe 55 (23.2 për qind) për rindërtim. Dominimi i ndërtesave shumëkatëshe tregon orientimin drejt zhvillimit urban dhe rritjes së kapaciteteve banesore dhe afariste. Ndërtesat inxhinierike civile lidhen me investime në infrastrukturë, ndërsa rindërtimet tregojnë për përmirësim dhe modernizim të objekteve ekzistuese.

Sa i përket investitorëve, nga 237 objekte, 132 (55.7 për qind) kanë si investitorë persona fizikë, ndërsa 105 (44.3 për qind) subjekte biznesi. Kjo strukturë tregon përfshirje të konsiderueshme të individëve në ndërtim, krahas rolit të rëndësishëm të kompanive në realizimin e projekteve më të mëdha.

Në periudhën raportuese është planifikuar ndërtimi i 411 apartamenteve me një sipërfaqe totale prej 38,300 m², çka tregon kërkesë të vazhdueshme për hapësira banesore. Rajoni i Shkupit dhe ai i Pollogut kryesojnë me nga 51 leje ndërtimi, duke dëshmuar përqendrimin më të madh të aktivitetit ndërtimor në këto zona. Në përgjithësi, megjithëse dhjetori 2025 shënon rënie krahasuar me vitin e kaluar, sektori i ndërtimit mbetet një faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe urban në vend. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull