Sejdiu për Fillkovin: Ka përfunduar fushata, nuk do të jetë gjatë ministër

2 Min. Leximi
Screenshot

Kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu lidhur me provimin e jurisprudencës edhe në shqip ka thënë se kjo pyetje duhet t’u parashtrohet atyre që ishin në pushtet për 20 vite dhe që nuk e zgjodhën këtë problem, duke aluduar në BDI-në.

“Është një problem i vjetër, VLEN thotë pse është vonuar, ne nuk ankohemi, por veprojmë dhe do të zgjidhet shumë shpejt në rrafsh institucional. Pra e kemi iniciuar një të drejtë që u takon studentëve. Kjo temë duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë dhe se studentët shqiptarë duhet t’i nënshtrohen provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe”, tha Sejdiu në intervistën për Alsat-M.

Me rëndësi, sipas tij është që VLEN po gjen zgjidhje të kërkesave të studentëve dhe për herë të parë këtë kërkesë po e zgjidh në aspekt ligjor.

Lidhur me deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Igor FIllkov i cili kundërshton këtë kërkesë, Sejdiu me përgjigje se deklaratat nuk duhet të jenë subjektive dhe se ka përfunduar fushata.

“Edhe ministri duhet ta dijë se kjo është një kategori kushtetuese, pastaj edhe duhet të ketë ndryshime ligjore që do jetë në harmonizim edhe me Komisionin e Venecias dhe kjo tejkalon dëshirat e ndonjë ministri të caktuar apo eksponenti të caktuar që mundohet të përfitojë me propagandë politike që ne normalisht e kundërshtojmë”, tha ai.

Ai shton se me siguri do të ketë interpelancë ndaj Fillkovit, sepse siç thotë “ndoshta edhe ministri e di se nuk do të jetë gjatë aty”.

“Me siguri po, nuk do të jetë gjatë aty, duhet ta dijë opinioni se do ketë rikonstruim të qeverisë, ka emra që lakohen, ai është përfolur si një ndër emrat”, kë nënvizuar Sejdiu.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull