Sedat Bislimi: Premtimet boshe dhe mashtrimet po marrin fund, Studeniçani do të ketë zhvillim dhe dinjitet

4 Min. Leximi

Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Studeniçanit, Sedat Bislimi, në një konferencë për media ka akuzuar qeverisjen e deritanishme për mashtrime dhe mosrealizim të projekteve elementare, duke premtuar një program të qartë, të financuar dhe zhvillimor për të ardhmen e komunës.

“Për vite me radhë, qytetarët tanë janë mashtruar me premtime boshe. Nga ndërtimi i rrugëve dhe ujësjellësit, tek shkolla e mesme, çerdhet, ura dhe shtrati i lumenjve – gjithçka është premtuar, por pothuajse asgjë nuk është realizuar. Komuna e Studeniçanit është lënë pas dore, pa vizion, pa investime, dhe mbi të gjitha, pa dinjitet”, tha Bislimi.

- Advertisement -

Ai solli shembuj konkretë të dështimeve:

- Advertisement -

“Rruga nga Laki deri në Alldincë nuk u ndërtua kurrë. Ujësjellësi nga Sallakova ende nuk ka përfunduar, duke lënë mijëra familje pa ujë të pijshëm. Ura e Batincës është veçse në letër. Çerdhet e premtuara nuk ekzistojnë. Shkolla e mesme dhe Shtëpia e Kulturës, janë premtime të harruara. Ndriçimi publik në shumë vendbanime mungon ende”.

Në vijim, Bislimi theksoi se me qeverisjen e re të VLEN-it tashmë janë vënë në realizim investime konkrete në infrastrukturë.

“Rikonstruksioni i rrugës Studeniçan–Idrizovë me mbi 44 milionë denarë, rikonstruksioni i rrugës numër 10 në Batincë me mbi 13 milionë denarë, rikonstruksioni i rrugës numër 15 dhe ndërtimi i urës në Batincë me mbi 33 milionë denarë, rruga rrethore në Moranë me mbi 13 milionë denarë, rruga Markov Manastir–Mallçishtë me mbi 24 milionë denarë, si dhe asfaltimi i rrugës Uji i Kuq–Kitka me mbi 59 milionë denarë. Këto janë investime konkrete në rrugët e Studeniçanit, të Batincës e të gjithë vendbanimeve”.

Kandidati i VLEN-it paraqiti edhe planin zgjedhor për mandatin e ardhshëm, duke theksuar se programi është realist dhe i financuar.

“Do ta përfundojmë përfundimisht ujësjellësin në Studeniçan, Koliçan dhe Batincë. Do të ndërtojmë çerdhe për fëmijët tanë në Studeniçan dhe Batincë. Do të hapim një shkollë të re fillore në Studeniçan dhe Moranë. Do të ndërtojmë Pallatin e Kulturës në Studeniçan dhe salla sportive moderne në Batincë dhe Koliçan. Do të sjellim ndriçim publik në çdo vendbanim të komunës. Do të hapim qendër sociale, zyrë për pensionistët dhe zyrë për informimin e qytetarëve. Do të mbështesim nxënësit, studentët, klubet sportive dhe familjet me lindje të reja. Do të investojmë në arsim me digjitalizim të mjeteve mësimore. Do të zhvillojmë zonën industriale për hapjen e vendeve të reja të punës dhe do të lehtësojmë transportin publik në bashkëpunim me qytetin e Shkupit”.

Në fund, ai i bëri thirrje qytetarëve për mbështetje më 19 tetor.

“E kemi parë çfarë bëjnë ata që vetëm premtojnë. Tani është koha të shohim çfarë bëjmë ne që e mbajmë fjalën. VLEN është vula e ndryshimit. Unë, Sedat Bislimi, së bashku me ju, do ta sjellim zhvillimin në çdo lagje, në çdo rrugë dhe në çdo shtëpi të komunës sonë. Ndryshimi për Studeniçanin fillon më 19 tetor”.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull