Ministri i Punëve të Brendshme thotë se situata e sigurisë në vend gjatë 365 ditëve të fundit është shumë më e qëndrueshme sesa ka qenë më parë. Sipas tij, përmes aksioneve për shpartallimin e bandave kriminale nga ana e MPB-së, por edhe përmes veprimit të përditshëm të policisë, përmirësimi i gjendjes së sigurisë është vërejtur edhe nga vetë qytetarët.
“Të gjitha ato aksione që i kemi ndërmarrë në fushën e kriminalitetit rrugor, të gjitha ato aksione që i kemi ndërmarrë në fushën e tregtisë me drogë, tregtisë me njerëz e kështu me radhë… bandat që i kemi shkatërruar në Shkup, bandat që i kemi shkatërruar në Tetovë, bandat që i kemi shkatërruar edhe në Maqedoninë Lindore, i japin shpresë popullit maqedonas se mund të bëhet edhe ndryshe”, deklaroi Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.
Toshkovski foli edhe për zbatimin e projektit “Save City”. Ai tha se nuk do të ketë selektivitet dhe se çdo kush që ka bërë shkelje do të ndëshkohet.
“Pasi qytetari të klikojë në link të caktuar që do të përfshihet në SMS porosinë, do të mund të ketë qasje në informacione konkrete në lidhje me rrugën ku është kryer shkelja, fotografi nga momenti kur automjeti e ka kryer shkeljen dhe të tjera… dhe në varësi të shkeljes së kryer, do të mund të paguajë menjëherë gjobën dhe ta evidentojmë atë në sistemin tonë elektronik. Ndërsa nëse bëhet fjalë për shkelje më të rëndë, do të duhet të zhvillohet procedurë përmes gjykatës”, tha Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.
Zbatimi i sistemit “Save City” pritet të fillojë nga fillimi i vitit të ardhshëm, ndërsa Toshkovski shfaqi shpresën se do të rritet ndjeshëm disiplina në trafik. /Alsat.mk