Deputetja e koalicionit opozitar “VLEN”, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ashpër ndaj nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmanit, duke e akuzuar për hipokrizi, mashtrim dhe për ndërtimin e një sistemi të korruptuar që, sipas saj, ka lënë pasoja të rënda për shqiptarët.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Imeri shkruan:
“Flet ‘pacienti’, sikur nuk ka qenë ai vetë kirurgu i kësaj kënete! Bujar Osmani, simboli i mashtrimeve me përkthim simultan, ish-shefi i diplomacisë që nuk diti asnjëherë të përkthejë as të vërtetën në gjuhën e popullit.”
Ajo kritikon Osmanin për deklaratat e tij lidhur me “kënetën politike”, duke theksuar se ai vetë është ndër ndërtuesit e një sistemi të mbushur me korrupsion, luks dhe arrogancë.
“Kur flet për mungesë vizioni, ai që s’e di as vetë çfarë ka qenë dje e çfarë do jetë nesër, s’mund të presim më shumë veçse zhurmë nga një ‘pacient’ politik që jeton ende me infuzion nga paratë e pista të ish pushtetit,” shkruan deputetja e “VLEN”.
Në fund, ajo i bën thirrje Osmanit të heshtë, duke theksuar se çdo dalje e tij publike veç sa përkujton arsyet pse, sipas saj, BDI nuk ka më vend në të ardhmen politike të shqiptarëve.