Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke vlerësuar rolin e mësuesve në ndërtimin e arsimit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.
Në mesazhin e tij, ai kujtoi hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887, duke e cilësuar atë si një moment historik për arsimin dhe kulturën shqiptare.
“Më 7 mars të vitit 1887 u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe në Korçë, një moment historik që shënoi fillimin e një rrugëtimi të rëndësishëm për arsimin dhe kulturën shqiptare.”
Sali theksoi se kjo ngjarje përfaqëson një hap të madh drejt dijes dhe ruajtjes së gjuhës shqipe.
“Ajo ditë ishte një hap i madh drejt dijes, identitetit dhe ruajtjes së gjuhës sonë.”
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë mësuesit që i kanë kushtuar jetën arsimit, duke theksuar se roli i tyre shkon përtej mësimdhënies së leximit dhe shkrimit.
“Mësuesit nuk janë vetëm ata që na mësojnë të shkruajmë e të lexojmë, por edhe ata që na udhëzojnë në rrugën e jetës, që na japin kurajë të ëndërrojmë dhe të besojmë në veten tonë.”
Sipas tij, përkushtimi dhe dashuria e mësuesve për nxënësit ndihmon në formimin e brezave të rinj.
“Me durimin, përkushtimin dhe dashurinë për nxënësit, ata formojnë breza të tërë dhe mbjellin farën e dijes që rritet për gjithë jetën.”
Në fund të mesazhit, ai theksoi se secili njeri mban në kujtesë një mësues që ka lënë gjurmë në jetën e tij.
“Secili prej nesh mban në zemër kujtimin e një mësuesi që ka lënë gjurmë të veçantë dhe secili prej nesh është produkt i një mësuesi që e ka mësuar të ecë në jetën e shkronjave e të dijes.”
Ai përfundoi mesazhin duke uruar të gjithë mësuesit:
“Prandaj sot të gjithë i përulemi me nderim Mësuesit! Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!”

