Sali: Safe City uli ndjeshëm aksidentet, do të shtrihet në gjithë territorin!

1 Min. Leximi

Në ditën e parë të implementimit të projektit Safe City në Shkup, sipas zv/kryeministrit Bekim Sali, janë regjistruar mbi 150 mijë kundërvajtje, ndërsa ditën e nesërme ky numër ka rënë në 50%, rreth 60 mijë. Ai në emisionin ZOOM në RTVM2 tha se pritshmëritë janë që numri i kundërvajtjeve të ulet në 2-3 mijë deri në momentin e aplikimit të plotë të sistemit.

“Domethënë kemi rënie drastike të kundërvajtjeve, dhe sipas informacionit nga Qendra për Urgjencë në Shkup, numri i aksidenteve dhe i personave që kërkojnë ndihmë ka rënë ndjeshëm”, deklaroi Sali gjatë intervistës në emisionin ZOOM.

Ai theksoi gjithashtu se investimi i parë i sistemit është bërë në zonat më të ndjeshme të vendit, duke përfshirë qytetet më të mëdha, dhe se kjo do të vazhdojë gradualisht në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Sali sqaroi se projekti nuk ka të bëjë me ndërprerjen e aksionit vetëm në tre qytete, por përkundrazi, do të shtrihet në të gjitha qytetet për të garantuar mbrojtje për qytetarët.

Projekti Safe City synon përmirësimin e sigurisë rrugore dhe mbikëqyrjen e zonave urbane përmes teknologjisë, duke sjellë një reduktim të ndjeshëm të kundërvajtjeve dhe aksidenteve në qytetet ku është implementuar.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull