Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Maqedoninë e Veriut, András Klein, ku në fokus të bisedimeve ishte procesi i eurointegrimeve të vendit.
“Sot zhvillova një takim me Ambasadorin e Republikës së Hungarisë, András Klein. Diskutuam për procesin e eurointegrimeve, me theks të veçantë në dinamikën e përshpejtuar të reformave dhe vendosmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Sali.
Ai theksoi se mbështetja e Hungarisë paraqet një faktor të rëndësishëm në këtë rrugëtim, duke riafirmuar përkushtimin institucional për vazhdimin e reformave.
“Në këtë drejtim, theksova rëndësinë e mbështetjes së Hungarisë dhe riafirmova përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për vazhdimin e reformave dhe rrugëtimin evropian”, u shpreh Sali.
Takimi konfirmon angazhimin e Qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe për avancimin e agjendës evropiane të vendit.

