Sali: Maqedonia e Veriut shënon një hap historik në bashkëpunimin ekonomik me SHBA-të

2 Min. Leximi

Maqedonia e Veriut ka shënuar një hap të ri në bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, duke forcuar partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme tregtare, bëri të ditur zv/kryeministri i parë Bekim Sali.

Sipas tij, marrëveshja parasheh uljen e tarifave tregtare deri në 15 për qind, ndërsa për disa produkte ato do të reduktohen deri në zero, me qëllim rritjen e eksportit, tërheqjen e investimeve të reja dhe forcimin e zhvillimit ekonomik afatgjatë.

“Maqedonia e Veriut shënon një hap historik në bashkëpunimin ekonomik me SHBA-të”, theksoi ai, duke shtuar se marrëveshja konsolidon marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve.

Ai vlerësoi se marrëveshja reflekton angazhimin e qeverisë për politikë ekonomike transparente dhe konkrete, si dhe për qeverisje të përgjegjshme që vendos interesin e qytetarëve dhe biznesit në qendër.

Sali theksoi se partneriteti me SHBA-të konfirmon rëndësinë strategjike të vendit në arenën ndërkombëtare dhe rolin e tij si partner dhe aleat i qëndrueshëm.

Sipas tij, marrëveshja pritet të krijojë mundësi të reja për bizneset vendore, të zgjerojë qasjen në tregun amerikan dhe të kontribuojë në rritjen e standardit të jetesës dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.

Në fund, ai nënvizoi se përmes këtij partneriteti, vendi riafirmon përkushtimin për bashkëpunim ndërkombëtar të bazuar në transparencë dhe respekt të ndërsjellë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull