Të dashur qytetarë,
Sot, deponia famëkeqe e Nikushtakut u mbyll përfundimisht. Pas 24 vitesh helmimi të ajrit, tokës e ujit, pas rrezikimit të shëndetit të banorëve të Nikushtakut, Haraçinës, Grushinës dhe Orllancës, si dhe pas dhjetëra aksidenteve të shkaktuara nga tymi i saj helmues, ky kapitull i errët më në fund mbyllet.
Dua t’ju kujtoj se më 02 shtator 2023, nga kjo zonë bëra një reagim publik si deputete dhe nënkryetare e Alternativës, ku kërkova urgjentisht dislokimin e kësaj deponie, duke denoncuar neglizhencën e BDI-së që për dy dekada nuk bëri asgjë, megjithëse i kishte të gjitha mundësitë për të zgjidhur këtë problem. Atëherë paralajmërova se indiferenca e pushtetit rrezikonte jetët e qytetarëve dhe kërkova zgjidhje të menjëhershme.
Sot, me qeverinë VLEN brenda vetëm një viti, ky problem kronik u zgjidh përfundimisht. Zona do të pastrohet, sanohet dhe gjelbërohet, duke u kthyer në harmoni me natyrën përreth.
Kjo është diferenca mes premtimeve boshe dhe veprimit konkret.
Ne jemi këtu për qytetarët dhe për të mirën e tyre! 

