Sabotazh në urën e re të Mitrovicës? Vërshon uji, pronari: U lëshua nga Ujmani

2 Min. Leximi

Një sasi e madhe e ujit ka përfshirë punishten ku po ndërtohet ura e re e Ibrit në Mitrovicë gjatë natës, shkruajnë mediat në Prishtinë të citojnë pronarin e firmës Jahir Nimani, që lëshon hapur akuza se incidenti është i qëllimshëm.

Sipas tij, uji është lëshuar me vetëdije të plotë nga liqeni i Ujmanit për të dëmtuar punimet. Tashmë, nga sa pohon Nimani janë dëmtuar shumë pajisje e materiale.
Ai shton se në vendngjarje mbërritën dhe forca të Policisë së Kosovës, por nga kjo e fundit nuk ka ende një deklaratë zyrtare.

Numri dy i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi vetëm se pyetjet në lidhje me ngjarjen duhet t’i drejtohen Ndërmarrjes Hidroekonomike të Ibër-Lepencit.
Njoftimi i vetëm aktualisht i kësaj të fundit është ai i dhënë për ujësjellësin e Mitrovicës ku theksohet se do të ketë tkurrje të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc” që për pasojë mund të ketë mungesë të ujit në zonat më të larta të qytetit dhe në fshatrat përreth.
Nëntorin e një viti më parë, një mjet shpërthyes dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën jetike që furnizon me ujë shumë komuna dhe mbështet funksionimin e termocentralit në Obiliq.
Policia pati thënë asokohe se për sulmin ishin përdorur 20 kilogramë lëndë eksplozive. Kosova fajësoi Serbinë për sulmin e konsideruar terrorist, por Beogradi zyrtar mohoi gjithçka.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull