Sa kushton dezinformimi? Politikanët nxisin apati dhe mosbesim, duke dëmtuar rrugën drejt BE-së

16 Min. Leximi

Sipas anketës më të fundit të porositur nga Fondacioni Metamorfozis, politikanët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të perceptohen si një nga burimet kryesore të dezinformatave. Të anketuarit i rendisin ata menjëherë pas rrjeteve sociale dhe para portaleve, me 81% që i shohin politikanët si aktorë aktivë në shpërndarjen e informacionit të rremë. Dezinformimi mbetet një mjet i fuqishëm në skenën politike: përdoret për të ndërtuar mbështetje, për të diskredituar kundërshtarët dhe për të mobilizuar votuesit përmes frikës, pasigurisë dhe polarizimit. Dezinformimi nxit cinizëm dhe mosbesim ndaj institucioneve evropiane dje procesit euro-integrues të Maqedonisë.  Si në këtë anketë ashtu edhe në raportin paraprak, politikanët renditen vazhdimisht ndër aktorët kryesorë që kontribuojnë në qarkullimin e dezinformatave. Në fakt, 89% e qytetarëve besonin se politikanët përhapin dezinformata, shkruan Portalb.mk. 

Sa më i madh interesi politik, aq më e lartë tendenca për manipulim me informacione. Sidomos, në vende me polarizim të lartë politik, si RMV. Politikanët përdorin narrativa të forta, të thjeshtuara ose të shtrembëruara për të ndarë publikun. Krijojnë “armikun e brendshëm” ose “armikun e jashtëm”, si dhe përdorin deklarata emocionale në vend të fakteve. Kjo i bën deklaratat e tyre më të prirura për dezinformim. 

Çfarë tregoi konkretisht anketa?

Sipas anketës, mediat sociale (87%), politikanët (81%) dhe portalet e internetit (78%) konsiderohen si burimet kryesore të shpërndarjes së dezinformatave në vend. Këto gjetje tregojnë një vetëdije të lartë te publiku për rolin e politikanëve në krijimin dhe transmetimin e informacioneve të rreme ose manipuluese. Përveç tyre, gazetarët dhe mediat (78%) dhe influencuesit (56%) gjithashtu identifikohen si burime të rëndësishme, gjë që flet për perceptimin se dezinformatat janë të pranishme si në kanalet formale ashtu edhe në ato joformale mediatike. Sondazhi i Opinionit Publik i kryer nga agjencia “Indago” në periudhën nga 6 deri më 17 tetor 2025, i cili përfshinte 1,100 të anketuar përmes anketave telefonike.

Sondazhi i Opinionit Publik i kryer nga agjencia “Indago” me porosi të Metamorfozis
Sondazhi i Opinionit Publik i kryer nga agjencia “Indago” me porosi të Metamorfozis

 

Në vijim do të paraqesim disa nga dezinformatat nga aktorët politik që kanë shënuar vitin që po lëmë pas (2025), si edhe ato të evidentuara gjatë vitit 2024. 

Kryeministri, Hristijan Mickoski, shpesh përdor termin “disa qindra” anëtarë të komunitetit bullgar. Në fakt, në deklaratën e tij për Euroneës tha “disa qindra anëtarë të komunitetit bullgar në vend” jetojnë në vend, gjë që nuk përputhet me statistikat zyrtare. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut u krye në vitin 2021 dhe sipas rezultateve të atij regjistrimi, disa mijëra u deklaruan si bullgarë, pra saktësisht 3,504. 

“Disa qindra anëtarë të komunitetit bullgar në vend kanë të gjitha të drejtat dhe janë pjesë e institucioneve tona, dhe nga ana tjetër, dhjetëra mijëra anëtarë të komunitetit maqedonas në Bullgari nuk lejohen as të regjistrojnë organizata joqeveritare. Por, në rregull. Ata janë në BE, ne jemi jashtë BE-së. Ky është një lloj “ngacmimi”, por në rregull. Do të donim ta shihnim veten në tryezë në Bruksel, por pyetja e vërtetë është nëse ky është çmimi i fundit që duhet të paguajmë,” tha Mickoski, më 4 nëntor, 2025.  

Ministri i Sportit, Borko Ristovski, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, më 03.08.2025 duke iu përgjigjur pyetjes për rezultatet katastrofale të sportistëve të rinj maqedonas në MOF, ose siç njihet ndryshe Lojërat Olimpike Rinore, manipulohej lidhur me arsyet pse nuk u fitua asnjë medalje, duke spekuluar pa bazë për numrin e talenteve të rinj që ka shteti.  

Ministri Ristovski fillimisht përmend shifrën prej „500 fëmijë të talentuar“, e menjëherë më pas e përgjysmon atë, duke pyetur „a kemi ndoshta edhe 250?“.  

“Në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston një databazë qendrore me të dhëna për numrin e sportistëve të rinj të talentuar, as një sistem meritash që do të identifikonte talentet e reja në sport, prandaj ministri Ristovski e përcakton numrin e tyre “me sy””, shkruan Vërtetmatësi. 

Komuna e Tetovës, 12.11.2025,  nuk e pasqyroi të vërtetën në postimin e saj, ku pretendoi se është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për qytetarët.  

“Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Komuna e Tetovës përmendet vetëm një herë, dhe ajo lidhet me përfundimin e kadastrës së ndotjes së ajrit, pa asnjë vlerësim, koment apo lavdërim për politikat e saj mjedisore”, shkroi Portalb.mk.  

Jovana Mojsoska, anëtare e kryesisë së partisë parlamentare “E Majta”, në një nga deklaratat e saj, 07.02.2023, deklaroi se partia është pro anëtarësimit në BE dhe për këtë arsye nuk është parti antievropiane, por jo me çdo çmim, për dy arsye – “ndryshimet tektonike në rendin gjeopolitik” dhe dëmtimi i të gjitha marrëveshjeve që Maqedonia ka nënshkruar deri më tani në drejtim të integrimeve euroatlantike, të cilat kanë prekur “sovranitetin dhe integritetin e shtetit”.  

Theksimi i këtyre dy arsyeve të përgjithshme është shtrembërim i së vërtetës. 

“Të pretendosh se proceset gjeopolitike tektonike janë një nga arsyet për “jo në BE me çdo kusht” dhe për një përgjigje retorike, pa një përgjigje filozofike se “ka gjithmonë një alternativë”, de fakto është një shtrembërim i së vërtetës”, shkruan Vërtetmatësi.  

Shembujt e mesipërme forcojnë edhe më shumë perceptimin e qytetarëve se politikanët janë ndër shpërndarësit më të mëdhenj të dezinformatave. 

Politikanët, mashtruesit më të mëdhenj: perceptimi qytetar reflektohet në apati politike

Jehona në zgjedhjet e fundit lokale 2025, për herë të parë nuk ka arritur të tejkalojë 50 për qind, as në rrethin e parë, as në rrethin e dytë. Kjo i ka bërë këto zgjedhje të tetat lokale me pjesëmarrjen më të ulët që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.  

Sipas të dhënave të KSHZ-së, në rrethin e parë për kryetar komune, tetor 2025, jehona ishte 48,30 përqind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Nga 1.832.415 votues të regjistruar, kanë votuar 885.085 qytetarë. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, jehona ishte 40,46 përqind. 

Dalja e votuesve në të gjitha zgjedhjet lokale të RMV-së 1996-2021
Dalja e votuesve në të gjitha zgjedhjet lokale të RMV-së 1996-2021

6.07 përqind e gjithë votave dolën të pavlefshme. Shifër që pasqyron revoltin ndaj politikanëve në një mënyrë tjetër.  

Se trendi i dezinformatave ka ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e daljes në votime,veçanërisht te të rinjtë dhe votuesit e pavendosur, e vërtetojnë edhe komunikologët. 

“Problemi kryesor është se dezinformatat përhapen sepse kanë efekt të fortë polarizues, nga i cili njëra palë përfiton, ndërsa injorohen dëmet e mëdha që shkaktojnë, si humbja e besimit në institucionet dhe në sistemin politik, pasivizimi i qytetarëve dhe të tjera”, tha për Portalb.mkeksperti i komunikimit politik, profesori Sead Xhigal.  

Sead Xhigal, profesor universitar. FOTO: e-society
Sead Xhigal, profesor universitar. FOTO: e-society

Sipas tij, për shkak të kaosit informativ, qytetarët distancohen nga proceset politike dhe humbin besimin se mund të ndryshojnë diçka apo të ndikojnë në mënyrën se si zgjidhen çështjet kyçe që prekin ekzistencën e tyre. 

“Zgjedhjet, interesat partiake dhe polarizimi jo vetëm që e nxisin përhapjen e dezinformatave, por i kthejnë ato në pjesë përbërëse të strategjive politike dhe, për fat të keq, edhe të kulturës politike”, sqaron tutje Xhigal.  

Komunikologu Xhigal kujton se dezinformatat politike zakonisht përhapen përmes një kombinimi të mediave tradicionale, platformave digjitale dhe rrjeteve informale të komunikimit.

“Propaganda dhe dezinformatat shpesh shfaqen fillimisht në rrjetet sociale dhe, varësisht nga jehona dhe reagimet që marrin, më pas transmetohen nga portalet online. Jo rrallë, për shkak të ndikimit të tyre politik, ato arrijnë edhe në mediat kombëtare ose përdoren në konferenca shtypi të partive. Edhe pse format ndryshojnë, në thelb qëndron fakti se qarkullimi i tyre përhapet dhe nxitet kryesisht nga individë apo grupe të motivuara politikisht, të cilat i shfrytëzojnë për interesa të ngushta partiake. Veçanërisht të rrezikshme janë dezinformatat që synojnë, përveç politikës, edhe tolerancën etnike dhe fetare. Më rrallë hasen dezinformata që lidhen me prapavija biznesi ose konflikte personale”, përfundoi ai.  

Sefer Tahiri, analist politik. Fotografia marrë nga profili i tij në facebook.

Sefer Tahiri, profesor universitar, kujton se kkziston një stereotip, se politikanët nuk e flasin të vërtetën. Kjo, sipas tij, bazohet te fakti se politikanët premtimet që i kanë dhënë nuk i kanë realizuar.  

“Parulllat e tyre apo sloganet kanë qenë të lidhura me fjalët, thotë Tahiri 

Politikanët, vë në dukje Tahiri, vazhdojnë ata të prodhojnë jo vetëm manipulim me masën, apo zgjedhësit, por edhe shpërndajnë dezinformata të ndryshme, duke prodhuar përmbajtje propaganduese.  

“Sa i përket dezinformatave, ato kryesisht lidhen me premtimet. Gjatë fushatës zgjedhore janë bërë premtime që nuk kanë pasur kurrfarë baze reale dhe në anën tjetër, kemi pasur prodhim të dezinformatave që kanë qenë ndaj palës rivale, kundërshtuese. Ne kemi hasur në situata të atilla që politikanët kanë dezinformuar për punësime të ndryshme. Një prej atyre premtimeve ka qenë se do të punësohen 3 mijë shqiptarë para fushatës zgjedhore dhe u dëshmua se ka qenë vetëm premtim elektoral dhe nuk ka qenë premtim i realizuar” theksoi për Portalb.mk,  Tahiri. 

Rrjedhimisht, kjo që ngre si çështje njohësi i komunikimit politik, Sefer Tahiri argumentohet edhe përmes disa shkrimeve të Portalb.mk, ku vihet në pah mosrealizimi i premtimeve parazgjedhore dhe dezinformimi i opinionit.

Për shembull në raportet e publikuara për Komunën e Tetovës dhe Komunën e Likovës, dëshmohet se sa është i madh numri i zotimeve të parealizuara në raport me premtimet e realizuara.  

Dezinformatat në politikë nuk janë thjesht “lajme të rreme”, ato janë kërcënim serioz për demokracinë, stabilitetin shoqëror, besimin në institucione, bashkëjetesën ndëretnike dhe aftësinë e qytetarëve për të marrë vendime me informata të sakta. Në një kohë kur informimi dhe komunikimi janë globalë dhe të menjëhershëm, rreziku është shumë më i madh dhe domosdoshmëritë për arsim mediatik, institucione transparente dhe mekanizma mbrojtjeje kundër dezinformatave janë jashtëzakonisht të rëndësishme. 

Dezinformatat ndikojnë edhe në uljen e besueshmërisë ndaj BE-së 

Kur politikanë pretendojnë se “BE-ja po na tradhton”, “na diskriminon” ose “ka standarde të dyfishta”, kjo mund të nxisë cinizëm dhe mosbesim ndaj institucioneve evropiane. Retorika e tillë krijon narrativë se kushdo që është pro-BE është “i mashtruar” ose se procesi është i padrejtë. 

Kryeministri aktual i RMV-së, Hristijan Mickoski nuk heziton t’i theksojë “standardet e dyfishta” kur përmendet rruga e vendit drejt BE-së. 

Kryeministri në fjalimin e tij në konferencën “CPAC” në Uashington duke folur për partneritetin strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut adresoi kritika ndaj Bashkimit Evropian për standarde të dyfishta. 

“Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE-së, sepse sërish jemi nën presion për të ndryshuar Kushtetutën tonë. Nëse Kushtetuta nuk është çështje e brendshme e një vendi sovran, atëherë pyes veten çfarë është? A është kjo e drejtë? Nëse dikush kritikon fjalimin, i cili sipas mendimit tim modest ishte shumë frymëzues, duhet të shikojë veten në pasqyrë dhe të shohë çfarë po bën. Vlerat evropiane nuk janë bilaterizimi i procesit të anëtarësimit në BE,” tha Mickoski. 

Disinfo Radar”-et në vend dhe monitorimet kanë konkluduar se:  

“Kjo narrativë e gjatë vazhdon në peisazhin e dezinformimit dhe zgjerohet më tej sa herë që përsëritet nga zyrtarë të nivelit të lartë. Shtrembërime të tilla përforcojnë mesazhet e rrënjosura euroskeptike dhe anti-perëndimore”. 

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, foto nga arkivi personal

Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari konsideron se duke përsëritur ose përforcuar narrativat që e paraqesin BE-në si të dobët, manipuluese, bile edhe armiqësore, politikanët i ushqejnë ndjenjat anti-BE, anti-demokratike dhe anti-perendimore, i thellojnë ndasitë e brendshme dhe dobësojnë edhe më tej besimin edhe ashtu të dobët në institucionet që duhet të udhëheqin procesin e reformave.  

“Ky dezinformim i brendshëm shpesh përputhet me fushata të orkestruara ose të nxitura nga aktorë të jashtëm si Rusia, të cilat synojnë të ngadalësojnë dhe ndërpresin integrimin e regjionit në BE dhe të ofrojnë “rrugë” të tjera gjeopolitike, duke e komplikuar edhe më shumë, jo vetëm rrugën e rajonit drejt BE-së, por edhe vet strategjinë e zgjerimit të Unionit. Siç tregojnë analizat e fundit, këto narrativa nuk i dezinformojnë vetëm qytetarët në vendin tonë dhe rajon, por shtrembërojnë edhe mënyrën se si BE i sheh vendet kandidate dhe u japin argumente forcave brenda BE që të jenë skeptike ndaj zgjerimit dhe vënë në dyshim besueshmërinë dhe gatishmërinë e këtyre vendeve”, tha për Portalb.mk Jashari. 

Në të njëjtën kohë, shton tutje Jashari, këto narrativa u shërbejnë politikanëve për t’u viktimizuar dhe për të devijuar vëmendjen nga temat e rëndësishme për qytetarët: reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, përgjegjshmëria institucionale dhe përkeqësimi i kualitetit të jetës.  

“Në vend që të japin llogari për rezultatet konkrete në këto fusha, ata e zhvendosin debatin publik drejt teorive konspirative dhe armiqve të paramenduar të jashtëm, duke e bërë edhe më të vështirë konsolidimin e demokracisë dhe përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në BE”, përfundoi ai

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull