“E ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian dhe të gjithë po punojmë shumë me qëllim që të arrihet kjo”, porositi euroambasadori Mihalis Rokas sot në Veles, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për të komentuar mesazhet që përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri i dërgoi gjatë vizitës së saj në Shkup, në lidhje me mekanizmat që Brukseli ka në dispozicion për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian të shtetit.
“E vetmja gjë që mund të them në këtë fazë është në fakt vetëm të përsëris atë që tha përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, e ajo është se Maqedonia e Veriut është e ardhmja e saj i përkasin BE-së dhe se të gjithë ne po punojmë shumë që të arrihet ky qëllim, në mënyrë që situata të zhbllokohet”, deklaroi Rokas.
Rokas nuk deshi të komentojë deklaratën e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova lidhur me atë se Austria është e gatshme për bisedime me ne për të gjetur një zgjidhje kreative me Bullgarinë. Presidentja në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” theksoi se ministrja për Çështje Evropiane dhe të Jashtme e Republikës së Austrisë, Beate Majnl-Rajzinger do të dëshironte që bisedimet për zgjidhjen e kësaj mosëmarrveshjeje të zhvillohen në Vjenë.
“Nuk do të doja të komentoja atë që e ka deklaruar presidentja, as përfaqësuesit e shteteve anëtare. Në këtë moment e vetmja gjë që mund të them është se ka një numër të madh të aktivitetesh diplomatike dhe vizitash, dhe gjithçka që do të rezultojë prej tyre është e mirëseardhur për ne”, theksoi Rokas.
Euroambasadori sa i përket Marrëveshjes për partneritet në realizimin e projekteve infrastrukturore mes vendit dhe Britanisë së Madhe, theksoi se nuk është në kompetencën e tij të komentojë marrëveshjet e shtetit me vende të treta, ndërsa për situatën me migracionin në Ballkan, theksoi se vendi ka një bashkëpunim të shkëlqyer me BE-në në këtë fushë.
“Sa i përket migrantëve, kjo është një çështje e madhe për gjithë BE-në. Unë mund të them se ekziston bashkëpunim i shkëlqyer mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, këtu është edhe Fronteksi, i cili jep alarmin e parë në rast të çdo migrimi. Sa i përket Britanisë së Madhe, BE-ja po ashtu ka nënshkruar një marrëveshje për partneritet strategjik në të njëjtën kohë kur është nënshkruar edhe ajo e juaja, dhe është e qartë se Britania e Madhe është një partner i mirë i BE-së, dhe çdo marrëveshje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe është gjithashtu e mirë për ju”, deklaroi Rokas.