Çmimet e energjisë elektrike për amvisëritë nga 1 korriku në bllokun e parë do të mbeten të njëjta, në bllokun e dytë do të ketë rritje 0.85 për qind, në bllokun e tretë 1.92 përqind dhe në bllokun e katërt do të ketë rritje prej 1.88 përqind, ndërsa rryma e lirë do të rritet për 0.65 përqind, njofton Komisioni Rregullator për Energjetikë, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, ka treguar se me këtë 88 përqind të amvisërive që hyjnë me konsum në bllokun e parë dhe të dytë, shpenzimet e energjisë elektrike do t’u rriten për 0,4 përqind. Për 8 përqind të familjeve që kanë konsum në bllokun e tretë, shpenzimet mujore do të rriten me 0,48 përqind dhe për 4 përqind të familjeve që hyjnë në konsum në bllokun e katërt, shpenzimet do të rriten me 0,57 për qind.
“Të marrim një vendim të tillë, ku në realitet nuk ka ndryshime. Rritja e çmimit për shumicën e konsumatorëve familjarë është nën 0.5 përqind, na ka mundësuar fakti që EVN Home i kemi dhënë drejtim që në periudhën të blejë 15 përqind të sasive të cilat nuk janë të garantuara në bursën e energjisë elektrike që funksionon në Maqedoni, në periudhën kur çmimi i energjisë elektrike është afër çmimit që ofroi EMV në tenderin prej 60 euro për megavat orë dhe përveç kësaj ndryshimet në Ligjin për Energjetikë që kaloi të martën në Kuvend bënë të mundur aplikimin e çmimit të ri i marzhës që tani është 9,9 përqind, ndërsa më parë ishte 11,5 përqind”, sqaroi Bislimoski.
Çmimi i ri i energjisë elektrike është në fuqi nga 1 korriku 2024.
Ndryshimi i fundit i çmimit të energjisë elektrike ishte në janar të këtij viti. Sipas vendimit të KRRE-së, energjia elektrike për ekonomitë familjare u ul me 5,16 përqind nga 1 janari për bllokun e parë, për bllokun e dytë dhe tarifa e lirë mbeti e njëjtë, për bllokun e tretë u shtrenjtua me 2,88, ndërsa për blloku i katërt me 1. 86 përqind. Për të gjitha amvisëritë u vendos tarifa për qasje në rrjet prej 200 denarë në muaj.