Rinumërimi i të gjitha votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të përfundojë të premten, më 30 janar.
Siç ka mësuar KOHA, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve presin që procesi të përmbyllet në orët e pasdites.
Sipas përditësimit të fundit deri tash në KQZ, rinumërimi ka mbërritur në më shumë se 93 për qind, apo 2380 vendvotime nga 2557 gjithsej.
Rinumërimi i plotë nisi më 13 janar. Paraprakisht në rinumërim ishin dërguar 10 komuna plotësisht dhe 10 për qind të vendvotimeve në 28 komuna të tjera. Për shkak të manipulimit të madh që u has në rinumërimin e pjesshëm, KQZ-ja vendosi t’i çojë të gjitha komunat në rinumërim të plotë.
Nga procesi që zbuloi manipulimet, dhjetëra kryekomisionerë, në Prizren e Malishevë, përfunduan në paraburgim. Hetime po zhvillojnë edhe prokuroritë në komuna të tjera.

