Revizori zbulon shkelje te ish Ministri Osmani: Parregullsi me veturën, naftën dhe punësimet

5 Min. Leximi

Sistemi shëndetësor i Maqedonisë së Veriut ndër vite mbetet vrima e zezë e shtetit. Për shkak të kushteve të mjerueshme në spitale, shërbimeve katastrofike dhe menaxhimit joefikas nga ana e drejtuesve të saj, Ministria e Shëndetësisë është quajtur shpeshherë me ironi në opinion, si “Ministria e Vdekjes”. Pavarësisht gjendjes së rëndë faktike që ka mbizotëruar dhe vazhdon të mbizotërojë, Bujar Osmani, i cili ishte në krye të kësaj ministrie nga 27 korriku i vitit 2008 deri më 27 korrik të vitit 2011, sot mburret me të ashtuquajturat “suksese”. Në kuadër të fushatës së tij, 3 muaj para zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Çairit, ai kërkon nga qytetarët që ta mbështesin për të vazhduar historitë e suksesit edhe në nivelin lokal. Por për periudhën në të cilën thirret në suksese Osmani, më së miri flet një dokument i kohës së tij – Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për Ministrinë e Shëndetësisë i publikuar në vitin 2010, që në fakt i referohet vitit 2009 nën drejtimin e Osmanit. Dokumenti, i cili nxjerr në pah një sërë parregullsish dhe shkeljesh ligjore shpreh mendim me rezervë lidhur me vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare të institucionit, ndërsa jep mendim negativ për harmonizimin me dispozitat ligjore në transaksionet financiare. Sipas revizorëve, gjatë kësaj periudhe në Ministrinë e Shëndetësisë janë gjetur shkelje rreth mënyrës së pagesës së derivateve për veturat zyrtare, ndërsa nuk ka pasur kontroll sa i përket përdorimit të veturave zyrtare. Kjo, sipas revizorëve binte në kundërshtim me ligjet dhe aktet ligjore në fuqi.

“Nuk janë prezantuar urdhra për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare të nënshkruara nga person i autorizuar, urdhra të veçantë udhëtimi për automjetet, raporte të veçanta mujore për shfrytëzimin e automjeteve nëpër sektorë, organe, por edhe raport përmbledhës për kilometrat e kaluar që dorëzohen te sekretari shtetëror. Janë paguar për derivate nafte 4,58 milionë denarë pa u verifikuar dhe harmonizuar fatura e dorëzuar me llogaritë e veçanta për furnizimin me derivate”, Enti Shtetëror i Revizionit.

- Advertisement -

Shfrytëzimi i veturave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, pa kontroll
4,5 milionë denarë për derivate, pa verifikim dhe harmonizim të faturave
Shkelje në kohën gjatë të cilës Osmani drejtonte Ministrinë ishin konstatuar edhe me servisimin e veturave zyrtare nga një kompani kontraktuese, për të cilën nuk ishin ofruar dëshmi për kryerjen e servisimit.

“Është arritur marrëveshje për furnizim publik shërbim/servisim dhe riparim të veturave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2009 në të cilën është caktuar se për çdo shërbim të kryer patjetër duhet të ekzistojë procesverbal për pranimin cilësor të automjeteve motorike. Në periudhën e raportuar, për kryerje të shërbimeve janë paguar 1,4 milionë denarë pa u siguruar përpilim dhe deklarim të procesverbalit të theksuar”, Enti Shtetëror i Revizionit.

Servisimi i veturave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, pa prova
1,4 milionë denarë për serivisime, pa procesverbal që janë bërë
Revizorët kishin konstatuar edhe praktikën e punësimeve të përkohshme nëpërmjet agjencive në këtë ministri. Pavarësisht se nuk thuhet se bëhet fjalë për punësime partiake, sipas revizorëve punësimet ishin bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi në disa projekte, ishin angazhuar të punësuar me kontratë edhe pse nuk ishte parashikuar punësim me Rregulloren për sistematizim të vendeve të punës. Varësisht prej pozicionit, të punësuarit ishin angazhuar nga 3 deri në 6 muaj, madje me një qasje subjektive për të drejtat pasuese, për sigurim shëndetësor dhe pensional për këta të angazhuar. Në periudhën kur Osmani udhëhiqte me Ministrinë, hairin ia panë anëtarët e Komisionit për Furnizime Publike, të cilët, sipas revizorëve për 1 vit kishin marrë 410 mijë denarë shtesa për angazhim jashtë orarit të punës, duke u thirrur në një nen të një akti intern, megjithëse nuk kishin ofruar prova për këtë angazhim jashtë orari. / alsat.mk

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull