Në revizionin e kryer nga Enti Shtetëror për Revizion, u konstatua parregullsi në mënyrën e përdorimit të fondeve publike në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023, transmeton Portalb.mk.
“Me revizionin e kryer të raportit financiar dhe revizionin e pajtueshmërisë të MASH për vitin 2023, janë konstatuar dobësi në menaxhimin e investimeve kapitale, objekte të papërfunduara dhe pranime teknike të parealizuara, si dhe përdorim joadekuat i mjeteve për tekstet shkollore për arsimin fillor, si dhe kërkesa të paarkëtuara në bazë të kredive studentore, të vjetra më shumë se një dekadë”, konstatuan nga Revizioni.
Në raport theksohen parregullsi dhe mosharmonizimi mbi realitetin dhe objektivitetin e raportet financiare. Një nga parregullsitë e konstatuara është edhe keqmenaxhimi i librave në kuadër të projektit për përkthimin e 500 librave profesional dhe ndërtimi e rekostruimi i sallave sportive.
“Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve nga personat dhe organet kompetente në funksion të përmirësimit të gjendjes”, deklaruan nga Revizion.
Ndryshe, konvikti Shtetëror Studentor në Tetovë u lëshua në përdorim pa kontroll teknik të objektit dhe pa miratim për kryerjen e veprimtarisë. Këtë e ka konstatuar Enti Shtetëror i Revizionit. Heshtje në Ministrinë e Arsimit.
Portalb.mk në vitin 2018-të kishte raportuar se mijëra libra të përkthyera keq nga projekti pompoz i ish Qeverisë së Gruevskit “1.050 libra” janë duke u kalbur nëpër magazina me lagështi. 19 milion euro kanë përfunduar në bodrumet e errëta të Shkupit dhe Gostivarit. Portalb.mk kishte hyrë në hapësirat e mykura, me pluhur të mbushura me libra të përkthyera keq për te cilat askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësi dhe nuk ka ide çfarë të bëjë.