Reagon Erkan Arifi: Publikimin për terrenin e Ropalcës e quan shpifje, por ja faktet

3 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Likovës Erkan Arifi ka reaguar ndaj publikimit të VOXAL lidhur me terrenin sportiv pranë shkollës fillore në Ropalcë, për të cilin ishte nënshkruar kontratë dy herë.

Ai e ka quajtur këtë shpifje dhe dezinformim, ndërsa ka drejtuar sulme edhe ndaj medias dhe gazetares.

“Ky pretendim është plotësisht i pavërtetë dhe tendencioz. Komuna e Likovës, me përgjegjësi të plotë ligjore e institucionale, garanton para opinionit publik se ky projekt nuk është paguar asnjëherë dy herë. Për pasojë, kërkojmë nga portali dhe gazetarja e përmendur që, brenda afatit më të vonshëm ditën e hënë (22.09.2025), të kërkojnë falje publike për këtë shpifje dhe të vërteten ndaj një standardi minimal të përgjegjësisë profesionale”.

Në sqarimin e tij, Arifi thotë se kontrata e parë është lidhur në vitin 2019, por nuk janë bërë pagesa ndaj kompanisë.

“Gjatë vitit 2019, Komuna e Likovës kishte lidhur një kontratë me ndërmarrjen “KOOP INZHENERING” – Kumanovë (nr. 10-710/8, datë 18.09.2019). Kjo kontratë figuron në sistem si e lidhur, mirëpo nuk është realizuar dhe për rrjedhojë nuk është kryer kurrfarë pagese – asnjë denarë ndaj kësaj ndërmarrjeje, nga komuna”, thotë kryetari i Komunës së Likovës.

Faktet

VOXAL ka respektuar Kodin Etik të gazetarëve dhe çdo parim universal gazetaresk, duke përfshirë dëshmi në raport, por edhe duke kërkuar përgjigje nga kryetari i Komunës.

Përgjigjja e kryetarit Arifi për këtë çështje është përfshirë në material e plotë dhe pa asnjë ndërhyrje. Në këtë përgjigje, Erkan Arifi në asnjë moment nuk e sqaron se kontrata e lidhur nuk është paguar, ndërsa në sistem nuk figuron anulimi i kontratës së vitit 2019.

Për më tepër, vetë Erkan Arifi në një publikim të vitit 2021, e ka prezantuar terrenin në Ropalcë si të përfunduar.

3:12 – 3:20

Në reagimin e tij ndaj videomaterialit të VOXAL, Erkan Arifi nuk e adreson çështjen se pse e ka promovuar si arritje ndërtimin e terrenit sportiv në Ropalcë, ndërsa ka shpallur sërish tender për ta ndërtuar atë 4 vjet më vonë?

Pra, si përfundim, redaksia e VOXAL thekson se ka respektuar të gjitha parimet e gazetarisë dhe ka ngritur dilemë në bazë të fakteve, duke prezantuar dy kontrata të nënshkruara, një në vitin 2019 dhe tjetrën në vitin 2025. Në materialin e publikuar, kemi ngritur dilemë rreth këtyre kontratave dhe kemi shtruar pyetje publike ndaj kryetarit të Komunës dhe i kemi dhënë shansin për shpjegim. Materiali jo vetëm që nuk përmban shpifje, por nuk përmban as edhe një koment përveç fakteve.

Gazetaria profesionale synon të hapë debat për çështje të interesit publik, të ngrejë dilema dhe të kërkojë llogari nga pushtetarët, gjithmonë duke respektuar parimet universale dhe objektivitetin, siç kemi bërë në këtë rast.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull