Komisioni Evropian në raportin e saj për Maqedoninë e Veriut kritikon vendin se për një vit nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar bisedimet drejt anëtarësimit, edhe pse ka harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së. Eurokomisionarja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, para Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian me të prezantuar raportin, Maqedoninë e Veriut e raportoi shkurtimisht duke nënvizuar nevojën e ndryshimeve kushtetuese.
“Maqedonia e Veriut, siç thashë, ka mbetur plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe ka vazhduar punën teknike mbi Udhërrëfyesit dhe Planin e Veprimit që lidhen me klasterin e parë, por vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të avancuar në procesin e negociatave të pranimit gjatë vitit të kaluar. Duhet të miratojë ndryshime kushtetuese në përputhje me përfundimet e Këshillit të Evropës të vitit 2022 për të përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.”, – deklaroi eurokomisionarja për zgjerimin e BE-së, Marta Kos.
Kos edhe më e shkurtër ishte para gazetarëve, duke e futur vendin në një grup të stagnimit me Bosnjën dhe Kosovën, por tha se komisioni do të vazhdojë t’i mbështesë drejt BE-së. Raporti gjithashtu nënvizon se Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, posaçërisht në klasterin për “Vlerat Bazike”, që përfshin qëndrueshmërinë në sundimin e së drejtës, pavarësinë gjyqësore, si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas evropianëve, korrupsioni i niveleve të larta duhet të zgjidhet me hetim solid, përndjekje dhe aktgjykim të prerë. BE-ja veç më ka nisur përgatitjet për anëtare të reja. KE-ja konsideron se zgjerimi është investim gjeostrategjik i BE-së i bazuar në vlera të përbashkëta demokratike me aprovimin e qytetarëve evropianë.

