Riformatimi i qeverisjes në Komunën e Prishtinës pas koalicionit të Përparim Ramës me Partinë Demokratike të Kosovës ka thelluar ndarjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke reflektuar edhe përplasjet politike ndërmjet kryetarit të Kryeqytetit dhe kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Në kuadër të këtij ristrukturimi, një nga figurat më të afërta me Abdixhikun në Komunën e Prishtinës, Shkëmb Manaj, është liruar sot nga detyra e nënkryetarit të Kryeqytetit.
Ndërkaq, ndryshimet në kabinet nuk kanë prekur Florian Dushin, nënkryetarin tjetër të Komunës, i cili pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 ishte rreshtuar në krah të Përparim Ramës në raport me zhvillimet e brendshme në LDK.
Gazetës Online Reporteri.net merr vesh se Manaj është shkarkuar nga posti i nënkryetarit dhe është zëvendësuar nga Besiana Musmurati e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila u emërua sot në këtë pozitë në kuadër të marrëveshjes së re të bashkëqeverisjes në Prishtinë.
Manaj, anëtar i Kryesisë së LDK-së, nuk është përgjigjur gjatë ditës në thirrjet e Reporteri.net për koment lidhur me largimin e tij nga posti që e mbante që nga marsi i vitit 2025.
Emërimi i tij në pozitën e nënkryetarit kishte ardhur në një periudhë të tensioneve të forta brenda LDK-së, pasi ai ishte shndërruar në një nga figurat më të zëshme të partisë për akuzat mbi manipulimin e votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Vetëm pak javë pas zgjedhjeve, Manaj kishte akuzuar publikisht dhe brenda strukturave partiake për “skemë kriminale”, manipulim dhe shitblerje votash brenda listës zgjedhore të LDK-së, duke pretenduar se i ishte vjedhur mandati i deputetit.
Në një mesazh të dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë së LDK-së në WhatsApp, të publikuar nga Reporteri.net, ai kishte deklaruar se procesi zgjedhor ishte manipuluar, veçanërisht në votimin me postë nga diaspora.
“Është proces i manipuluar përmes skemave kriminale, në të cilin fatkeqësisht janë përfshirë edhe kolegë tanë të listës kandiduese, të cilët janë edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore të LDK-së”, kishte shkruar Manaj.
Ai kishte pretenduar se mandati i tij ishte cenuar përmes shitblerjes së votave dhe “mbushjes industriale” të votave me postë, duke kërkuar anulimin e votave të kandidatëve të ardhura përmes postës.
Këto pretendime më pas u bënë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila kishte autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen dhe verifikimin e informacioneve lidhur me dyshimet për manipulim të votave të diasporës.
Pas publikimit të mesazheve të tij nga Reporteri.net, Manaj kishte mohuar se emërimi i tij në pozitën e nënkryetarit ishte bërë për ta heshtur politikisht.
“Thanë se më është mbyllur goja për pozicionin e nënkryetarit të Kryeqytetit. Ju them se asnjë lidhje ky pozicion nuk e ka me këtë proces… Unë nuk bëj pazare në politikë”, kishte deklaruar ai.
Sikur Manaj edhe Dushi ishte emëruar në pozitën e nënkryetarit pas pakënaqësive të brendshme në parti lidhur me procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
Pas emërimit në Kmunë, Dushi ishte afruar me Ramën, duke u shkëputur prej Abdixhikut në parti.
Për këto lëvizje, Reporteri.net gjatë ditës ka kontaktuar edhe Dushin për ta pyetur përse ai nuk është lëvizur nga pozita, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

