Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta përshpejtojë ndjeshëm rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, tha presidenti bullgar Rumen Radev në një takim me përfaqësues të shoqatave bullgare nga vendi, raporton agjencia e atjeshme shtetëror BTA.
“Shpresoj që fqinji ynë jugperëndimor ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të hapë derën e negociatave për anëtarësim të plotë”, tha ai në një takim me përfaqësues të organizatave bullgare nga Manastiri, Ohri, Shkupi, Prilepi, Kavadari dhe Koçani.
Siç raportohet nga zyra e tij, presidenti bullgar theksoi gjithashtu se detyra e çdo shteti demokratik është të mbrojë në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të tij dhe të garantojë të drejtën e tyre për vetëvendosje.
“Ne të gjithë shpresojmë që integrimi i RMV-së të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo nuk mund të jetë në kurriz të të drejtave të komunitetit bullgar në vend”, tha Radev, duke shtuar se shpreson që autoritetet në Maqedoninë e Veriut do ta zbatojnë marrëveshjen e vitit 2022.

