Qyteti i Shkupit fshin 20.000 qytetarë të Çairit nga harta urbanistike!

3 Min. Leximi

Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka ngritur alarmin publik mbi një tjetër skandal institucional nga Qyteti i Shkupit, që sipas tij për vite me radhë po diskriminon Komunën e Çairit përmes planifikimit të padrejtë urbanistik.

Në një reagim të ashpër, Nevzati denoncon përjashtimin e rreth 20.000 banorëve të Çairit, përkatësisht 1/3 e popullsisë së kësaj komune, nga Propozim–Plani i ri Gjeneral Urbanistik (PGJU) që po hartohet nga autoritetet e qytetit.

- Advertisement -

“Në aktin më të lartë urbanistik, i cili sillet një herë në njëzet vite dhe shërben si bazë për të gjitha politikat urbanistike, është limituar artificialisht numri i banorëve të Çairit në vetëm 46.800, ndërkohë që sipas regjistrimit të vitit 2021, Çairi ka 68.975 banorë (rezidentë dhe jorezidentë)”, theksoi Nevzati.

Përjashtim sistematik dhe moszhvillim i qëllimshëm

Sipas të dhënave të publikuara nga sekretari, PGJU aktual parashikon ndarjen e Çairit në gjashtë kuarte me këto kapacitete të planifikuara:
1. Kuarti SSI 04 – 20.000 banorë
2. Kuarti SSI 05 – 14.000 banorë
3. Kuarti SSI 10 – 9.000 banorë
4. Kuarti SSI 11 – 300 banorë
5. Kuarti CS 02 – 2.500 banorë
6. Kuarti CS 13 – 1.000 banorë

- Advertisement -


Në total, plani njeh vetëm 46.800 banorë, duke lënë jashtë çdo parashikimi urbanistik mbi 20.000 qytetarë, për të cilët nuk ka asnjë shpjegim zyrtar.

“Ky përjashtim nuk është vetëm shifror, por prodhon pasoja reale – nga mungesa e infrastrukturës, ndalesa e investimeve, deri te pamundësia për të implementuar planet detale urbanistike”, paralajmëroi Nevzati.

Ai shton se kjo është arsyeja pse për vite me radhë, Qyteti i Shkupit bllokon miratimin e Planeve Detale Urbanistike për Çairin, duke u justifikuar me vërejtje të paqëndrueshme dhe tendencioze.

Thirrje për veprim dhe fund diskriminimit institucional

“Ekspertët urbanistë që i takojmë çdo ditë japin alarmin e fundit – duhet vepruar urgjentisht. Politika duhet të qëndrojë larg interesit qytetar. Mosplanifikimi i qëllimshëm i Çairit është një formë e re e margjinalizimit institucional,” përfundon Nevzati.

Ai premtoi se në ditët në vijim do të publikohen të gjitha tabelat, grafikonët dhe faktet për të dëshmuar qartë përpjekjen për ta lënë Çairin jashtë zhvillimit urban të kryeqytetit.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull